SYRI TV/ Pezullohen punonjësit e Bashkisë Tiranë, të përfshirë në helimin e një qeni
Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka ndërmarrë menjëherë masa disiplinore ndaj punonjësve të bashkisë Tiranë, të dyshuar si të përshirë në helmimin e një kafshe. Në njoftimin zyrtar, Agjencia bën me dije se po verifikon të gjithë materialin lidhur me këtë ngjarje
Nga SYRI TV
Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale që paraqet një rast të dyshuar helmimi të një kafshe, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka ndërmarrë menjëherë masa disiplinore ndaj autorëve. Në njoftimin zyrtar, Agjencia bën me dije se po verifikon të gjithë materialin lidhur me këtë ngjarje dhe ka pezulluar nga detyra punonjësit E. H., Dh. P., dhe A. K., deri në sqarimin e plotë të rrethanave. Ndër të tjera, në njoftimin e bërë publik, agjencia e mbrojtjes së konsumatorit thekson:
Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit po verifikon të gjithë materialin dhe ka ndërmarrë menjëherë masat e para disiplinore, duke pezulluar nga detyra punonjësit E.H., Dh.P. dhe A.K, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Distancohemi plotësisht nga rasti i dyshuar dhe çdo veprim që cenon kafshët, duke zbatuar me rigorozitet masat dhe procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi. Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit falënderon median dhe qytetarët për raportimin dhe bashkëpunimin, si dhe siguron të gjithë komunitetin e kafshëdashësve se misioni ynë mbetet garantimi i sigurisë, mirëqenies, strehimit dhe adoptimit të kafshëve.
Në një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale, shihet një person i cili i jep ushqim një qeni dhe largohet, ndërkohë që i njëjti person që kryen këtë veprim, është kapur në flagrancë nga një qytetar, i cili e ka ndaluar duke i kërkuar llogari për një veprim të tillë
Kohët e fundit, raste të tilla të helmimeve të kafshëve janë shtuar ndjeshëm. Ato shpesh janë të koordinuara nga institucionet në tentativë për të pastruar qytetet e tyre, por, diçka e tillë nuk është as humane dhe as ekologjike.