Sllovenët u japin udhëzime të rrepta tifozëve: Flamujtë e Kosovës lejohen vetëm në sektorin D

Tifozët e Kosovës që pritet të mbushin sonte stadiumin “Stozhice” në Ljubjanë janë njoftuar të respektojnë rregulla të posaçme sigurie për ndeshjen vendimtare Slloveni–Kosovë, e cila starton në orën 20:45 dhe ka peshë të madhe për kualifikimet e Botërorit 2026.

Federata Sllovene ka kërkuar që tifozët kosovarë të paraqiten sa më herët në hyrjet e stadiumit, pasi dyert hapen prej orës 18:45. Sipas organizatorëve, shmangia e tollovisë dhe garantimi i rendit janë prioritet kryesor.

Megjithatë, paralajmërimi më i rreptë lidhet me përdorimin e simboleve kombëtare. Sipas njoftimit zyrtar, flamujt dhe simbolet e tjera të Kosovës lejohen vetëm në sektorin D, i cili është destinuar posaçërisht për “Dardanët”.

Tifozët që paraqiten me flamuj në sektorët A, B apo C nuk do të lejohen të hyjnë. Organizatorët kanë përcaktuar një zonë të veçantë ku këto sende mund të dorëzohen, pas së cilës tifozët mund të tentojnë sërish hyrjen në stadium.

Interesimi i tifozëve të Kosovës në Slloveni është shumë i madh, sidomos nga komuniteti kosovar që jeton në vend. Madje pritet që stadiumi me kapacitet rreth 16 mijë vendesh të dominohet numerikisht nga tifozët e Kosovës.

Me një barazim, Kosova siguron play-off-in për Botërorin 2026, çka e bën sfidën e mbrëmjes edhe më të veçantë dhe emocionale për të dyja palët.