‘Ata duan të korruptojnë sistemin tonë politik’/ Hija e narkotrafikut mbi zgjedhjet bashkiake në Francë
Ndërkohë që Shqipëria po përballet prej vitesh me fenomenin galopant të narkotrafiqeve i cili, pasi gangrenizoi ekonominë, depërtoi dhe në fushatat elektorale duke manipuluar zgjedhjet, në Europën Perëndimore e veçanërisht në Francë, ky fenomen i narkotrafikut nuk ishte marrë deri tani shumë seriozisht. Artikulli që po botojmë, me titullin e marrë fjalë për fjalë nga e përditshmja më e madhe e Francës ‘Le Figaro’, tregon se po fillon dhe aty ndërgjegjësimi mbi shtrirjen e narkotrafikut në jetën politike.
Nëse Shqipëria ka arritur sot në stadin e fundit të narkotrafikut, në atë të Narko-Shtetit i gjithë shteti është i kapur nga mafia e drogës, Franca shfaqet në artikullin e mëposhtëm se po hyn në stadin e parë të narkotrafikut në politikë, ose në atë të Narko-bashkive.
Një shkrim i frikshëm për francezët, për një fenomen të ulur këmbëkryq në Shqipëri deri në majat e shtetit dhe që tregon se çfarë e pret Europën nëse nuk i pret kokën sa nuk është vonë kuçedrës së ekonomisë së drogës, siç ka vendosur ta bëjë me vendosmëri Donald Trump në SHBA. Të shpresojmë që SOS-i që populli shqiptar po i dërgon kombeve mike në Perëndim më në fund të dëgjohet, nëse s’është tepër vonë...
Katër muaj para zgjedhjeve lokale në Francë, banorë dhe politikanë nëpër rrethe po asistojnë krejtësisht të pafuqishëm në një fenomen tejet shqetësues, atë të narkotrafikut që kërkon tani të depërtojë dhe në jetën politike lokale.
Trafikantët e drogës në Marsejë sapo kanë kaluar një vijë të kuqe duke vrarë me atentat një të afërm të një aktivisti politik. Ky akt, i denjë për skenarët më ekstremë të frikësimit, sapo ka shënjestruar vëllain e Amine Kessacit, kandidat në zgjedhjet e parakohshme legjislative në Marsejë nën flamurin e Frontit të Ri Popullor.
Vëllai i viktimës bën në fakt politikë duke luftuar aktivisht kundër trafiqeve të drogës, dhe për këtë po shantazhohej prej disa javësh. Vrasësit më në fund sulmuan vëllanë e tij të enjten pasdite, duke mos i dhënë asnjë shans mbijetese.
Ky ‘paralajmërim’ përforcon bindjen se hija e narkotrafikut qëndron tani dhe mbi skenën politike franceze dhe atë të komunitetit lokal vetëm disa muaj para zgjedhjeve bashkiake të marsit 2026.
Komisioni Kombëtar për Mbikëqyrjen e Financimit të Fushatave Elektorale në Francë, zakonisht i moderuar në raportimet e tij, dha alarmin për herë të parë në historinë e këtij Komisioni. Para pak javësh ky Komision bëri publik këtë konstatim:
‘Kemi të bëjmë me rrjete kriminale droge që mund të influencojnë zgjedhjet sepse disponojnë shuma të mëdha parash dhe kanë një kapacitet të konsiderueshëm për të korruptuar, veçanërisht përmes parave cash ose kriptomonedhave’.
Ky paralajmërim u bë nga vetë Presidenti i Komisionit Kombëtar për Mbikëqyrjen e Financimit të Fushatave Elektorale në Francë, Christian Charpy, në një intervistë dhënë gazetës Le Monde në fillim të shtatorit. Vetëm në vitin 2024, tregu i drogës vlerësohet të ketë gjeneruar deri në 3.5 miliardë euro fitime në Francë.
Për narkotrafikantët, objektivi tani është të ndikojnë në vendimet politike lokale që të mos dëmtohet biznesi i tyre. ‘Kryetari i bashkisë është një objektiv i lehtë për narkotrafikantët sepse ai është më afër qytetarëve. Të jesh kryetar bashkie do të thotë të merresh me problemet e përditshme dhe të jesh lehtësisht i identifikueshëm’, shpjegon një aktivist lokal.
Larg klisheve të thasëve me para të groposura, organizatat e narkotrafikut veprojnë kryesisht në zonat gri të fushatave zgjedhore. Ato u bëjnë ‘ndere’ të ndryshme votuesve e deri te shërbimet falas për politikanët në fushatë për të siguruar organizimin e tubimeve elektorale. Këto manovra janë të vështira për t’u identifikuar dhe ndaj nuk ndëshkohen.
‘Asnjë nga këto shërbime falas nuk shfaqet në llogaritë e fushatës. Nuk ka asnjë mënyrë për ta verifikuar’, shpjegon një deputet francez i zgjedhur në një zonë të prekur nga influenca e narkotrafikut.
Vetëm pak kilometra larg Marsejës, qarkullojnë edhe thashetheme se një i zgjedhur lokal mbrohet nga një grup i frikshëm narkotrafiku nga Ballkani. ‘Ky i zgjedhur u përfshi me narkotrafikantët nga Ballkani disa vite më parë, dhe tani ai përdoret prej tyre nëpërmjet taktikës së frikësimit’, tha një burim që kërkoi të mbetej anonim për Le Figaro.
Në këmbim të shërbimeve të tyre, këto rrjete narkotrafikesh kërkojnë të krijojnë kontakte brenda këshillave bashkiake. Falë të zgjedhurve që ata vënë nën kontroll, narkotrafikantët arrijnë të ushtrojnë ndikim, për shembull, në instalimin e kamerave të mbikëqyrjes ose në patrullat e policisë.
Ky është rasti në veri-perëndim të Parisit, në Canteleu, ku zëvendëskryetari i bashkisë u dënua në korrik 2024 pasi ia dha furgonin e tij një klani trafikantësh droge për një transaksion kokaine. Disa muaj më parë, gati 70 kg rrëshirë kanabisi u gjet në pronën e kryetares së bashkisë Avallon të Burgonjës. Një nga vëllezërit e saj, narkotrafikant, ishte nën survejim nga forcat e rendit.
‘Qëllimi i narkotrafikut është të korruptojnë të gjithë sistemin politik’, shprehet sekretari i sindikatës policore franceze Un1té. Një tjetër dëshmitar përmend profilin e një ish-kandidate për kryetare bashkie, e cila mbështetej në fushatën e saj nga narkotrafikantë për të ‘ruajtur’ qendrat e votimit ose për të ‘ushtruar forma të vogla presioni’ mbi zgjedhësit.
Narkotrafikantët përpiqen të ndikojnë politikisht duke u futur në zemër të diskursit politik lokal. Ata hyjnë në mbledhjet e këshillave bashkiakë duke u paraqitur si biznesmenë dhe infiltrohen në debate. Ata madje përpiqen të pastrojnë pasuritë e tyre përmes ekonomisë legjitime. ‘Duke e bërë këtë, ata fitojnë një shkallë respekti për t'u përfshirë në jetën politike lokale dhe për t'u bërë figura të shquara lokale’, dëshmon Jérôme Durain, kreu i hetimit parlamentar për trafikimin e drogës në Francë.
Për të fituar respekt dhe influencë, narkotrafikantët e konvertuar në biznesmenë dhe trupat e tyre kërkojnë gjithashtu të mbushin boshllëkun e lënë nga autoritetet publike në zonat e prekura nga varfëria dhe nga një ndjenjë braktisjeje. Ata ofrojnë shërbime ndihme në jetën e përditshme, për të bërë pazaret, për t’u ofruar fëmijëve zbavitje me ‘lojëra gjigante të fryra’. Në Orange, në Jug të Francës, rrjeti lokal i trafikimit të drogës organizoi një shpërndarje falas të furnizimeve shkollore për fëmijët në nevojë, përpara se prefektura ta ndalonte këtë iniciativë bamirësie në minutën e fundit.
‘Është çështje si të fitosh ndikim në komunitet; narkotrafiku është i aftë të krijojë një ekonomi dhe kulturë paralele me aktivitete rekreative dhe shërbimesh. Në këto kushte është e lehtë të imagjinohet se çfarë hapësire ka narkotrafiku t’i inkurajojë këto popullata të votojnë për një kandidat ose një tjetër që mbron narkotrafikun’, paralajmëron një zyrtar i zgjedhur vendor. ‘Sigurisht, kur sapo je zgjedhur dhe dikush premton të garantojë sigurinë në një zonë të caktuar nëse nuk ndërhyn shumë në biznesin e tyre… ti bëhesh vetvetiu palë’ – psherëtin një këshilltar bashkiak. ‘Sa vlen të mos jesh i korruptuar, nëse gjatë mandatit nuk ke arritur të përmirësosh jetën e njerëzve? Njerëzit të thonë: për çfarë shërben? Nga ai moment bie pre e ofertës së narkotrafikantëve’, shton ky i zgjedhur vendor, i dorëzuar.
Të pafuqishëm, disa kryetarë bashkish detyrohen të mbyllin sytë ndaj trafikut të drogës që pllakos rrugët e qyteteve të tyre. ‘E vetmja gjë që ka rëndësi është ruajtja e qetësisë’. Frédéric Péchenard, ish-kreu i policisë kombëtare të Francës gjatë presidencës së Sarkozisë, që sot është përgjegjës për sigurinë e krahinës franceze ku bën pjesë Parisi, dëshmon: ‘Disa të zgjedhur vendorë më kanë thënë: 'Po sakrifikojmë një lagje për të ruajtur pjesën tjetër'. Ne tolerojmë aktivitetin kriminal në zona të caktuara, për t’u përqendruar në zona më strategjike’.
Kjo për shkak të mungesës së burimeve ose mbështetjes, por edhe të frikës nga hakmarrja. Kjo është veçanërisht e vërtetë në qytetet e vogla, ku kryetarët e bashkive e gjejnë veten më të prekshëm nga kriminelët sesa gjetkë. ‘Ata e dinë se ku jeton kryetari i bashkisë, ku shkojnë në shkollë fëmijët e tij. Kjo e ndryshon objektivisht raportin e forcës midis të zgjedhurit të pambrojtur dhe grupeve kriminale’, shpjegon Christophe Bouillon, president i Shoqatës së Qyteteve të Vogla të Francës. ‘Ne të gjithë kemi familje dhe qëllimi nuk është t’i vëmë ato në rrezik’, shton kryetari i një bashkie të vogël në Alzasë, qyteti i të cilit ishte skenë e një hakmarrjeje midis bandave rivale të trafiqeve droge.
Kjo dobësi shfrytëzohet nga grupet kriminale, të cilët nuk hezitojnë të frikësojnë politikanët vendas. Këto presione, të drejtpërdrejta ose të nënkuptuara, janë të destinuara për të mbrojtur bizneset e tyre kriminale. Në Rillieux-la-Pape, afër Lionit, kërcënimet me vdekje kundër kryetarit të bashkisë u lyen me bojë në murin e një rruge: ‘Kryetar bashkie, do të të presim kokën’.
‘Një vijë e kuqe dhune është kapërcyer. Sot ka shumë më tepër vrasje dhe akte kriminale, gjë që ka filluar t’i trembë seriozisht politikanët francezë’, konfirmon një drejtues shoqate nga një lagje viktimë e narkotrafikut.
Për herë të parë në historinë e saj, vitin e kaluar, Shoqata e Kryetarëve të Bashkive të Francës organizoi tryezën e saj të parë të rrumbullakët mbi fenomenin e narkotrafikut në Francë. Ky shqetësim pritet të jetë një temë kryesore diskutimi në kongresin e Kryetarëve të Bashkive të Francës që do të mbahet nga 19 deri më 21 nëntor në Paris.
Edhe sistemi francez i drejtësisë, nga ana e tij, po mobilizohet dhe synon ta trajtojë problemin drejtpërdrejt. Në tetor, Prokurori i Marsejës njoftoi krijimin e një ‘njësie speciale anti-korrupsion’ me origjinë narkotrafikun.