Si e pa Rusia veten si shpëtimtaren 'antifashiste' të Europës

Kur përfundoi realisht Lufta e Dytë Botërore? Përgjigjja varet nga vendi rej nga vini. Lufta përfundoi zyrtarisht në orët e para të 7 majit 1945, kur gjenerali Jodl nënshkroi dorëzimin pa kushte të Gjermanisë në selinë e aleatëve në Reims, që hyri në fuqi nga dita pasuese. Mijëra njerëz dolën në rrugë në Londër, Nju Jork dhe qytete të tjera për të festuar.

Megjithatë, me 8 maj ceremonia u përsërit në Berlin, në praninë e marshallit sovjetik Zhukov dhe përfaqësuesve të vendeve të tjera aleate. Paqja mbizotëroi që nga dita tjetër. Ushtria e Kuqe kishte pushtuar kryeqytetin gjerman dhe supozohej se do të gëzonte një lloj epërsie simbolike.

Gjatë dekadave pasuese, festimi i fitores me 8 ose 9 maj u kthye në simbol të ndarjes midis Lindjes dhe Perëndimit.

Në Perëndim, 8 maji u bë data e fitores mbi fashizmin, e arritur nga ushtritë aleate dhe rezistenca kundër nazistëve. Kjo fitore u kthye në bazën e konsensusit antifashist të pasluftës, i cili mbështetej edhe te harresa selektive, duke anashkaluar, për shembull, bashkëpunimet e gjera me pushtuesit nazistë nga Franca deri në Norvegji.

Për Gjermaninë, sidomos për Republikën Federale të Gjermanisë që nga viti 1949 (kur vendi u nda në Lindje dhe Perëndim), ishte një datë e trishtuar. Vetëm në vitin 1985 presidenti i saj, Richard von Weizsäcker, pranoi se Gjermania ishte çliruar nga fashizmi me 8 maj, mes shkatërrimit dhe zisë që shkaktoi Rajhu i Tretë. Që prej asaj kohe, data u kthye në një pikë reflektimi mbi të shkuarën.

Shoqëria italiane, e pozicionuar rehat brenda rrëfimit antifashist, e konsideroi fitoren si të vetën. Pas rrëzimit të Musolinit në korrik 1943 dhe pushtimit gjerman, miti i rezistencës kundër pushtuesit fshiu çdo kujtim të pakëndshëm.

Kujtesa sovjetike

Në Bashkimin Sovjetik, 9 maji festohej në disa plane. Ishte dita e fitores ndaj fashizmit, dita kur BRSS-ja triumfoi ndaj një armiku që synonte ta shfaroste, dhe dita kur shpëtoi Europën nga fashizmi. Megjithatë, Stalini druhej se kujtimi i fitores do t'i jepte fuqi popullit sovjetik, i cili kishte pësuar vdekje të mëdha nga pushtuesit dhe gjithashtu nga gabimet e rënda të vetë komandantit të tyre dhe represioni brutal i brendshëm. Që nga viti 1947, data pushoi së qeni festë zyrtare.

Vetëm në vitin 1965, 9 maji u bë sërish festë kombëtare, por kësaj radhe për të përkujtuar fitoren e një kombi të ri sovjetik, jo viktimat. Maji i 1945-ës zëvendësoi tetorin e 1917-ës si data e vërtetë themeluese e BRSS-së së re, pasi shënonte fundin e "Luftës së Madhe Patriotike".

Njësoj si narrativa e fitores në Perëndim, edhe kjo u mbështet te fshirjet e volitshme, si bashkëpunimi i sektorëve të mëdhenj të shoqërisë sovjetike me pushtuesit, viktimat e represionit stalinist, pakti gjermano-sovjetik i vitit 1939 dhe pushtimi i vendeve baltike dhe Karelias.

Para vitit 1965, në Europën Lindore të çliruar ishin ngritur monumente të mëdha kushtuar Ushtrisë së Kuqe, të cilat më pas u përhapën në gjithë Bashkimin Sovjetik. Republikat e ndryshme popullore në Europën Qendrore e Lindore festonin 9 majin përkrah datave të çlirimit të vendeve të tyre nga Ushtria e Kuqe. Por edhe këtu, disa elementë u lanë jashtë kujtesës: Ushtria e Shtëpisë dhe kryengritja e gushtit 1944 në Poloni, si edhe pjesëmarrja e Sllovakisë, Hungarisë dhe Rumanisë në pushtimin e BRSS-së.

Antifashizmi për të justifikuar luftën

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, mosmarrëveshjet rreth 9 majit ishin vetëm maja e ajsbergut e debateve për kujtesën historike. Për shumë vende, 9 maji ishte një ditë zie, që simbolizonte zëvendësimin e një pushtuesi me një tjetër. Ukraina dhe vende të tjera filluan ta përkujtonin fundin e luftës me 8 maj, duke e lidhur fillimin e saj me shtatorin e 1939-ës. Kjo u shoqërua me nisma të frymëzuara nga politikat perëndimore të kujtesës, si përdorimi i lulëkuqes në Ukrainë që nga viti 2015.

Që nga mesi i viteve 1990, Rusia i ka dhënë rëndësi të jashtëzakonshme historike 9 majit, fitoren ndaj Hitlerit shumë rusë e konsiderojnë arritjen më të madhe të shekullit XX. Për më tepër, që nga fillimi i epokës së Putinit, 9 maji është shndërruar në simbol qendror të strategjisë së kujtesës së regjimit të tij. Organizohet një paradë madhështore, ku valëvitet flamuri sovjetik si flamuri i fitores.

Fjalimet e Putinit në këto ceremoni ngjajnë në ton me ato të epokës së Brezhnjevit: 9 maji përkujton fitoren e popullit rus/sovjetik, BRSS-ja kujtohet me nostalgji, sakrifica e të cilit shpëtoi të gjithë Europën nga fashizmi. Ishte një akt heroik, i përçmuar nga Perëndimi mosmirënjohës dhe disa republika të mëparshme sovjetike.

Këto tema janë theksuar edhe më shumë pas shkurtit 2022, pasi Kremlini ka shfrytëzuar retorikën antifashiste për të justifikuar pushtimin e Ukrainës.

Rëndësia e kujtesës

Në kohë autoritarizmi në rritje, është e rëndësishme të përkujtohet 70-vjetori i mposhtjes së nazizmit dhe të festohet rivendosja e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Europë. Gjestet e dobëta të Bashkimit Europian dhe përkujtimet kombëtare të rënies së fashizmit, si 25 prilli në Itali, po vihen gjithnjë e më shumë në pikëpyetje nga e djathta ekstreme.

Megjithatë, kujtimi i shkallës së mposhtjes së fashizmit në kontinent mund të jetë vetëm burim shprese. Ai shërben si kujtesë e fuqishme se demokracia duhet mbrojtur kolektivisht dhe se duhet nxjerrë mësim nga gabimet e së shkuarës. Siç ka thënë Mark Tueini: "Historia nuk përsëritet, por shpesh rimon."