Rama nis të përdorë vrasjen mafioze të Rinasit për të vënë në jetë projektin e tij të çmendur, anti-demokratik, ‘Big Brother’
Edi Rama ka nisur të përdorë atentatin mafioz të vrasjes së Gilmando Danit në një prej zonave më të sigurta të vendit, pranë aeroportit të Rinasit, për të vënë në jetë planin e tij të çmendur për ta kthyer Shqipërinë në një Big Brother, përmes projektit anti-demokratik të kontrollit dixhital të vendit.
Rama kërkon të vërë nën kontroll dixhital gjithë Shqipërinë duke deklaruar se po sjell një teknologji që, sipas tij, “vetëm Emiratet e kanë”, ndërkohë që e vërteta është ndryshe: teknologjia është perëndimore dhe izraelite, por aq e frikshme në penetrimin e jetës private të shtetasve, sa asnjë vend demokratik në botë nuk guxon ta përdorë në praktikë, përveç Emirateve, ku koncepti privacy nuk ekziston.
Ashtu siç vrasja e një të mituri i shërbeu Ramës për të mbyllur TikTok-un, po kështu edhe vrasja në Rinas po shfrytëzohet si pretekst për të importuar një metodë fashiste për survejimin e gjithë popullatës.
Gjatë dëgjesës me banorët e njësisë numër 3, Edi Rama komentoi atentatin me dy viktima në Rinas, ku humbën jetën Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe miku i tij, efektivi i AMP-së, Muçi Shaljani, i njohur si Sheqeri.
Rama deklaroi se ngjarja do të ishte zbardhur “në kohë reale” nëse sistemi i monitorimit me kamera inteligjente do të ishte funksional.
Sipas tij:
“Me projektin e ri që më në fund do të nisim ta zbatojmë pas një zvarritjeje burokratike. Projekti i monitorimit me kamera inteligjente të qyteteve dhe rrugëve kombëtare është projekt strategjik për sigurinë, pastërtinë dhe sigurinë e prindërve në shkolla.
Nëse do të kishim këtë sistem në këmbë, ngjarja e Rinasit do të ishte zbardhur në kohë reale. Por nuk është problemi tek zbardhja; në momentin që sistemi ekziston, ai parandalon në mënyrë efikase të gjitha llojet e shkeljeve që lidhen me rendin, qetësinë dhe rregullat e qarkullimit. Brenda këtij mandati, jo vetëm do e kemi këtë sistem, por do t’i shohim hajrin.”