Berisha: Nëse refuzonim Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe adresimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR tregonim se kërkesa jonë për zgjedhje të lira ishte demagogji
Kreu i PD, Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët shpjegoi pse opozita vendosi të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR, duke theksuar se kjo nuk ishte kompromis me qeverinë, por një mënyrë për të faktuar para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se zgjedhjet nuk ishin të lira.
Ai theksoi se refuzimi i këtij komisioni do të kishte treguar se kërkesa për zgjedhje të lira ishte thjesht demagogji, ndërsa pjesëmarrja dhe raportimi i dhunimeve ligjore dhe ndërkombëtare ishte një përpjekje serioze për të mbrojtur votën dhe për të denoncuar praktikat e paligjshme të qeverisë Rama. Berisha tha se, pavarësisht raportimeve dhe presioneve, me Edin Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe se vetëm përmes sakrificës dhe angazhimit të vazhdueshëm mund të mbrohet e drejta për votë të lirë.
Berisha: Po marr pyetjen e parë; Pse shkuat në komision për reformën zgjedhore. Siç mund ta kesh të qartë, zgjedhjet janë një proces sa kombëtar dhe ndërkombëtar. Dhe ka qenë një zotim solemn i imi dhe i PD, se ne do të mbrojmë votën. Në këtë kurrë nuk është imagjinuar se do mbrojmë votën me armë, por ne do mbronim votën, për tu faktuar shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ajo nuk ishte votë.
Në zgjedhjet e 2009 komuniteti ndërkombëtar deklaroi se këto zgjedhje plotësuan standardet kryesore ndërkombëtare të OSBE-ODIHR për zgjedhje të lira. Ndërsa në këto zgjedhje ekzistojnë një seri përcaktimesh në të cilat standardet ndërkombëtare u dhunuan, Kodi Zgjedhor u dhunua.
Pra ne bëmë një punë të jashtëzakonshme, shumë serioze të faktonim çdo gjë para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se çfarë ishin këto zgjedhje dhe këtu ne ja dolëm. Në meritën më të madhe të atyre që hartuan raportin që nuk ju nënshtruan presioneve primitive, të turpshme të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Përkundrazi ata pasqyruan me ndershmëri zinxhirin e pafund të dhunimit të ligjeve shqiptare e ndërkombëtare për zgjedhjet.
Por jemi këtu. Një nga denoncimet që ata bëjnë se shumicën e rekomandimeve të mëparshme të OSBE-ODIHR kjo qeveri nuk i ka pasqyruar, konsideruar dhe janë bërë edhe një seri rekomandimesh.
Nëse ne heqim dorë ashtu siç mund të sugjeroni ju apo të tjerë, ne humbasim aleatët ndërkombëtar të zgjedhjeve të lira. Se për ne ata që bënë këtë raport, ata që i thanë qeverisë se ke organizuar 4530 aktivitete në kundërshtim me ligjin, përfshirë ‘Giro D’Italia’ ditën e zgjedhjeve, që i thanë përdore të gjitha resurset e administratës në kundërshtim me ligjin. Që i thanë se përdore patronazhistët në kundërshtim me parimet ndërkombëtare, që i shkrojtën se organizatat kriminale morën pjesë aktive në zgjedhje, në Elbasan, Fier, Lezhë, Durrës dhe qytete të tjera.
Ata qëndruan në anën e shqiptarëve, nuk u nënshtruan nga presionet primitive të Edi Ramës. Sigurisht ne jemi për zbatimin e rekomandimeve të tyre, por ne u themi shqiptarëve dhe miqve tanë se, me Ed Ramën nuk ka kurrë zgjedhje të lira.
Për ta përmbledhur këtë çështje; nëse ne do të refuzonim komisionin e reformës zgjedhore dhe adresimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR që janë kushte dhe ato për zgjedhje të lira, tregonin se ne e kishim demagogji kërkesën për zgjedhje të lira, por ne nuk e kemi demagogji. Siç kam deklaruara para zgjedhjeve, deklaroj sot me përgjegjësinë më të madhe se, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira. Ndaj për mua, për ty e për çdo demokrate e demokrat, duhet ti bëjmë hesapet a jemi të gatshëm ne të sakrifikojmë të votojmë të lirë.
Unë mendoj se që të gjithë drejtuesit politik në qarqe, pa përjashtim kanë të metat e tyre, janë të kritikueshëm, por nga ana tjetër mendoj se, Gazment Bardhi është një avokat i guximshëm dhe i aftë i interesave të tua, të mia dhe të interesave të qytetarëve opozitar. Dhe ju besoj e keni konstatuar këtë në të gjitha qëndrimet e tij, ndaj Ramës, qeverisë dhe në të gjitha rastet.