Kandidatët e pavarur/ Berisha: Kjo faktoi se në asnjë variant Edi Rama zgjedhje nuk bën
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se kandidimi i të pavarurve në zgjedhjet e fundit tregoi qartë, sipas tij, se “Edi Rama nuk bën zgjedhje në asnjë variant”.
Berisha theksoi se opozita ka demonstruar vullnet për hapje dhe gjithëpërfshirje, ndërsa shtoi se braktisja masive e kryeministrit nga qytetarët duhet të shndërrohet në energji politike për përmbysjen e regjimit që ai e cilësoi “të paligjshëm”.
"Në vlerësimin tim, nuk ishte asnjë gabim. Opozita dëshmoi dhe duhet të dëshmojë vullnet për hapje. Edhe njëherë i falënderoj shumë të gjithë ata që kandiduan si të pavarur. Por çfarë faktoi kjo? Se në asnjë variant Edi Rama zgjedhje nuk bën.
Së dyti, populli e braktisi Edi Ramën. Një braktisje ekzemplare dhe kjo tregon se, ne si opozitë duhet të kapitalizojmë zemërimin dhe revoltën që ekziston në zemrat e shqiptarëve dhe ta kthejmë në një energji të fuqishme të përmbysjes së këtij regjimi të paligjshëm në Shqipëri", u shpreh Berisha në bashkëbisedimin me qytetarët.