Trump: E kam marrë vendimin për hapat e mëtejshëm në Venezuelë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të premten se ka marrë vendimin e tij për hapat e mëtejshëm drejt Venezuelës, por nuk dha detaje. Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One, Trump tha se e ka marrë një vendim.
“Nuk mund t’ju them se çfarë do të jetë, por në një farë mënyre e kam vendosur”, tha ai. Trump gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara kanë bërë shumë përparim në ndërprerjen e trafikut të drogës nga Venezuela.
Mediat amerikane raportojnë se forcat amerikane në rajon po presin urdhra të mundshëm për të sulmuar, pas disa ditësh diskutimesh të nivelit të lartë nëse dhe si mund të kryhet një sulm ndaj Venezuelës.
Presidenti amerikan theksoi se vendi i tij po sheh rezultate në operacionet e tij kundër drogës, por vuri në dukje se problemet mbeten në vendet fqinje.
“Kemi një problem me Meksikën. Kemi një problem me Kolumbinë”, tha ai, duke shtuar se flukset e drogës kanë rënë ndjeshëm.
Në Venezuelë, qeveria ka mobilizuar njësi ushtarake dhe milicitë në të gjithë vendin, në përgjigje të sulmeve të nisura nga SHBA-të në rajonin detar të Karaibeve.