'Ligji i barazisë gjinore'/ Pano me akuza të forta ndaj qeverisë: Antikushtetues! Po na cënon fëmijët
Në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, pranë monumentit të heroit kombëtar, Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës organizoi një protestë kundër ndryshimeve ligjore që prekin konceptin e familjes dhe edukimin gjinor në shkolla. Në fjalën e saj në hyrje të protestës, Pano e nisi fjalimin e saj me një apel dramatik drejtuar Presidentit: “Zoti President, mos u bëj numri shtatëdhjetë e nëntë”, duke iu referuar me sa duket numrit të votave të nevojshme për miratimin e ligjit.
Ajo e cilësoi legjislacionin si “antikushtetues” dhe “antikombëtar”, me argumentin se “një ligj që prek fëmijët, pasurinë më të madhe kombëtare, është ligj antikombëtar”.
Një nga pikat qendrore të kritikës së saj ishte përfshirja e edukimit gjinor të detyrueshëm në kurrikulat shkollore.
Sipas saj, ligji i ri, veçanërisht nenet 10 dhe 33, “seksualizon dhe gjenderizon fëmijët nga mosha katër deri në tetëmbëdhjetë vjeç”, duke e kthyer këtë lëndë nga një lëndë me zgjedhje në një detyrim të mbështetur nga Ministria e Arsimit.
“Shqiptarët nuk trimërohen nga shtrati yt, zoti ambasador”, deklaroi ajo, duke shtuar se shqetësimi i vërtetë i shqiptarëve janë hallet ekonomike dhe sociale, jo axhendat e promovuara.
Pano argumentoi se ligji i ri nuk do të ndihmojë realisht komunitetin transgjinor, por do të shërbejë për të pasuruar organizatat joqeveritare përmes fondeve dhe projekteve.
Ajo përmbylli fjalimin e saj duke ndarë histori tronditëse të fëmijëve nën kujdesin e shtetit, të cilët, sipas saj, janë ekspozuar ndaj situatave të papërshtatshme dhe janë manipuluar kundër prindërve të tyre.
Deklarata e plotë:
Unë sot dua t'i bëj një apel presidentit. Zoti president, mos u bëj numri shtatëdhjetë e nëntë. Njerëzit ngrenë pyetje, si është e mundur që një familje e tërë ngrihet dhe qëndron për familjen? Ngrihet dhe qëndron në këtë komb, në këtë kohë, kundra errësirës.
Por ku ka më mirë sesa një familje shqiptare të qëndrojë për familjen që është në rrezik? A e dini që ky ligj cënon drejtpërdrejt familjen shqiptare? Është ligj antikushtetues, antikombëtar, sepse një ligj që prek fëmijët, pasurinë më të madhe kombëtare, është ligj antikombëtar.
Mos ma prek familjen. Mos ma prek familjen. Mos ma prek familjen.
Ky ligj i seksualizon dhe gjenderizon fëmijët nga mosha katër deri në tetëmbëdhjetë vjeç. Në këtë ligj parashikohet neni tridhjetë e tre, neni dhjetë dhe neni tridhjetë e tre, që e bën me detyrim mësimin e edukimit gjinor nëpër shkolla. Deri tani ka qenë lëndë me zgjedhje. Rekomandimet janë që nga ky moment të bëhet me detyrim dhe mësuesve t'ju thuhet që kjo kurrikul, kjo axhendë ka mbështetjen e Ministrisë së Arsimit. Por nuk ka gjë më të shtrenjtë për shqiptarët se fëmijët, prandaj ne jemi këtu të themi: mos m'i prek fëmijët.
Kam një mesazh për ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato. Mister Gonzato, unë jam Linda Pano, jam shqiptare, jam grua, jam tradicionaliste dhe konservatore, dhe jam dhe inxhiniere. Sepse të kam dëgjuar në emisionet e televizion që ke thënë, një grua shqiptare nuk mund të bëhet inxhiniere sepse nuk e lë tradita. E ke gabim zoti ambasador. Unë jam e kundërta e asaj që ti thua.
Kam dëgjuar që je prekur, sepse shqiptarët kanë menduar që kjo axhendë është axhenda jote personale. Dua të të them që unë kurrë nuk i kam njohur ambasadorët e BE-së në Shqipëri. Por ty të kam njohur, sepse të kam parë në rrugë, në të gjitha paradat e organizatave LGBT ndërsa protestoje bashkë me ta. Të kam parë, që ndërsa ne bënim konventën e familjes, ti ishe me një grup organizatash LGBT në pedonale dhe protestoje.
Zoti ambasador, ju the shqiptarëve që e ndave shtratin tënd me ta, sepse e doje që t'i frikësoje.
Nëse mendoni që ligji që sapo kaloi në parlament, zoti Gonzato, do t'i japë më shumë të drejta komunitetit transgjinor, e keni gabim.
Të dashur vëllezër dhe motra, ndërsa shqiptarët protestojnë dhe vuajnë në Shqipëri, komuniteti transgjinor në Evropë feston. Unë do t'ju lexoj vetëm një pjesë të shkurtër të një prej gazetave të tyre që quhet Transgenders in Europe.
Ligji i ri për barazinë gjinore përmban referenca të qarta për orientimin seksual, identitetin gjinor dhe shprehjen gjinore, duke treguar një angazhim për të mbrojtur komunitetet trans nga diskriminimin.”
Për organizatat wokiste-leftiste që janë investuar për këtë ligj, unë kam një mesazh. Dhe mesazhi është: lotët e nënës së Ersidit ose Luanës, 15 vjeçar, i vendosur sipas saj në një dhomë me dy meshkuj gej që kryenin marrëdhënie seksuale në sy të saj.
Lotët e nënës, lotët e tharë të nënës të djalit në kushtet e institucioneve të bashkisë ku mësuesja tutore i mësonte se si të lyhej dhe të bënte make-up, dhe e mësonte që prindërit e tij ishin të këqinj. Ai kishte nevojë t'i denonconte prindërit e tij, sepse ajo do t'i gjente prindër të tjerë adoptues jashtë Shqipërisë.
Ato lot, zonja dhe zotërinj të organizatave wokiste-leftiste dhe oligarkë të këtyre organizatave, do ta çajnë qiellin dhe do të ngjiten lart si lutje dhe nuk do të kthehen poshtë pa marrë përgjigje.
Ndërsa Pashko Vasa shkruan: O moj Shqipni, e mjera Shqipni… President, mos u bëj shtatëdhjetë e nënti. Dëgjoje zërin e popullit, dëgjoje zërin e shqiptarëve"