Shije që mbetet gjatë... Shpallet djathi më i mirë në botë për vitin 2025
Çmimet Botërore të Djathit kanë kurorëzuar Swiss Gruyère të stazhionuar si djathin më të mirë në botë për vitin 2025.
Një ‘ushtri’ prej 265 ekspertësh djathi nga e gjithë bota duhet të ekzaminonin përzierje bulmeti të çdo forme, madhësie, ngjyre e trashësie në Bern. Për disa orë, çdo gjyqtar eksploroi rreth 40 djathëra duke u marrë erë, prekur, thërrmuar dhe në fund shijuar, për të dhënë një rezultat.
Fituesi ishte Bergkäserei Vorderfultigen, një djathë me qumësht lope nga një baxho e vogël në lëndinat alpine të Zvicrës perëndimore.
“Është një nder i jashtëzakonshëm”, tha blegtori Pius Hitz pasi mori çmimin e madh.
Ndonëse në vitet e mëparshme djathi fitues ka shkaktuar rritje të shitjeve, Hitz tha se bagëtitë e tij të lopëve mund të qëndrojnë të qeta sepse nuk do që të cenojë baraspeshën e brishtë të tregut të Gruyère.
Sipas ekspertëve, ky djathë ia vlente të fitonte: “Shija ishte e pabesueshme. Pas tri djathërash, mund ta ndienim ende.”
Në Festhalle të Bern u ekspozuan 5,244 lloje djathërash nga 46 vende të botës. Djathërat u ndanë në 110 rreshta në tavolina me mbulesë të bardhë ku ekspertët nisën detyrën herkuliane për të gjetur kandidatët e bronztë, argjendtë, artë dhe “super të artë”, të gjithë pa asnjë veçori dalluese që të mund të shijoheshin “verbërisht”.
Djathërat ishin me qumësht lope, deleje, bualli, deveje dhe gomari. Manchego, Brie, Camembert, Cheddar, Parmixhan, Gouda. Djathë portokalli, blu, të gjelbër. Djathë i veshur me dyllë. I mbuluar me lule. Një djathë i zhytur në uiski dhe lëng mollësh të kuqe.
Disa ishin të fortë. Disa shkrumboheshin. Disa të dendur. Disa të lehtë dhe si shkumë. Të tjerë aq të butë sa duhej të ruheshin në kavanozë apo të tjerë që dukej sikur ishin të mykur.
Të gjithë morën pikë në bazë të pamjes, aromës, shijes, trashësisë dhe ndjesisë që lë.