SYRI TV/ Vrasja e Gilmando Danit, itinerari nga Rinasi deri në fshatin Halil. Mungesa trafikut, rastësi apo koordinim?
Syri Televizion ka ndjekur itinerarin e ekzekutorëve të Gilmando Danit dhe plagosjes së Muçi Sheqerit. Distanca nga fshati Halil është rreth 15 kilometra. Nga pamjet e marra këtë të premte, duket qartë se në rrethrrotullimin e Rinasit ka ngarkesë mjetesh, duke krijuar trafik. Por dilema e madhe është sesi ditën që ndodhi ngjarja, në zonë nuk kishte trafik. Pyetja që ngrihet është: a ishte rastësi apo koordinim për t’u hapur rrugën ekzekutorëve?
Pamjet janë të qarta, trafiku në rrethrrotullimin e aeroportit të Rinasit është pothuajse i përhershëm në çdo orë të ditës. Pyetja që shtrohet është sesi është e mundur që të martën, rreth orës 14:00, ky rrethrrotullim të ishte thuajse i lirë dhe të mos kishte asnjë efektiv policie në zonë për të kontrolluar territorin.
Koincidenca ka bërë që të martën, çuditërisht, të mos ketë pasur bllokim qarkullimi. Dyshimet janë se si është e mundur që në një zonë ku kalojnë mijëra makina dhe ku ka një fluks të lartë mjetesh, pikërisht ditën e vrasjes së Gilmando Danit, nuk kishte bllokim trafiku.
Mjeti tip “Toyota Yaris” ka marrë rrugën e Qerekës duke dalë direkt në aksin Kamëz–Fushë Krujë. Nga Aeroporti i Rinasit deri në fshatin Halil janë rreth 15 km dhe, për shkak të ngarkesës që ka rruga, është e pamundur ta përshkosh në pak minuta. Syri Televizion ndoqi itinerarin deri në fshatin Halil. Në hyrje të Fushë-Krujës trafiku është i dukshëm.
Pak kilometra larg Fushë-Krujës, kur merr rrugën për në Krujë, ndodhet fshati Halil. Në të majtë të rrugës nacionale është kthesa që të çon drejt kodrave të fshatit, ku u gjet mjeti i djegur.
Në zonë nuk ka asnjë shtëpi vend i përshtatshëm për të shmangur dëshmitarët dhe për të zhdukur gjurmët e një ekzekutimi mafioz.
Pak kilometra nga vendi ku u gjet “Toyota”-ja e djegur, policia e Tiranës gjeti një arsenal armësh. Arsenali u gjet në fshatin Zall, në banesën e Ylli Zallës, një person i dënuar dhe i arrestuar më parë për të njëjtat vepra penale.