Piranjat/ Vrasja e të riut shqiptar nga pronari i tij italian/ A do të reagojë Ministria e Jashtme?

Kush e vrau të riun shqiptar Alban Gropçaj në Brazil, në mbrëmjen e 18 Shkurtit 2019?

28 vjeçari me origjinë nga Shkodra ishte mik dhe bashkëpunëtor i biznesmentit italian Guido Bertola, me të cilin kishte udhëtuar drejt Brazilit për disa ditë pushime, në vilën që ky i fundit zotëronte në Fortaleza.

Në marrjen në pyetje nga agjentët, menjëherë pas vrasjes së Albanit, biznesmeni 66 vjeçar kishte deklaruar që atë natë, pasi kishin darkuar në një restorant, po ktheheshin në shtëpi me makinë. Në një segment të rrugës, një motorr në të cilin ishin dy persona, iu është afruar duke i detyruar që të ndalojnë. Më pas Guido, është nxjerrë me forcë nga makina, është detyruar të shtrihet në tokë dhe pak çaste më pas ka dëgjuar një të shtënë. Agresorët janë larguar menjëherë me motorr duke lënë trupin e Albanit të shtrirë në asfalt në një pellg gjaku.

Shkak i krimit, në pamje të parë duket se është grabitja, por policia vëren që dy vrasësit kanë ikur pa marrë asgjë të vlefshme nga makina.

Një ditë më pas, agjentët e policisë shfaqen tek vila në pronësi të Guidos, atje ku roje është Hose De Souza, me pseudonimin Ziko, vëllai i Silvias, të dashurës së biznesmenit.

Gjatë marrjes së tij në pyetje, hetuesve iu vjen një dhuratë e papritur. Hose deklaron që porositësit e vrasjes së Albanit, kanë qenë Guido dhe Silvia dhe shton që biznesmeni italian i ka dhënë një zarf me para për t’ia dhënë vrasësit, Romario Lopez De Lima, që është nipi i Silvias dhe Hose. Pas kësaj dëshmie, Guido arrestohet menjëherë..

Pas këtij arrestimi që duket se erdhi i papritur, familjarët e tij të alarmuar, nisën të lëviznin çdo gur për ta rikthyer në shtëpi, diçka që vërtetohet edhe nga një deklaratë e përkthyeses së Guidos.

“Kur u lirua ishin te divizioni i vrasjeve, ai ishte i ulur dhe avokati në këmbë, Guido i tha që në fund të muajit duhet të ishte në Katar dhe nëse avokati arrinte të nxirrte pasaporten para fundit të muajit, kishte 20 mijë euro në dorë’.

E me sa duket skema funksionoi më së miri, sepse rreth 3 të pasdites Guidos i japin pasaportën dhe në 11 të natës u nis me avion për në Itali.

Është e kuptueshme që kushdo që përfundon në burg, kërkon të dalë sa më parë nga atje, por nxitimi për t’u kthyer në Itali, pa kërkuar sqarimin e rrethanave të një vrasjeje ku ishte dëshmitar i vetëm shton shumë dyshimet se gjërat brenda zyrave të policisë braziliane, kanë shkuar sipas skenarit të familjes Bertola.

Alban Gropçaj u vra në Fortaleza në një atentat që me sa duket ishte organizuar nga personat, të cilëve iu besonte më shumë. Sot pas 6 vitesh zvarritje, Guido Bertola dhe e dashura e tij Silvia De Souza, shijojnë jetën në liri të plotë, pavarësisht provave të akuzës. Ne si medja denoncojmë, por ndërhyrjen dhe interesimin tek drejtësia braziliane, duhet ta bëjnë autoritetet tona për të vënë në vend drejtësinë e munguar ndaj një shtetasi shqiptar.