‘Bomb Squad’ i Thomas Tuchel-it: S’mund të shkojmë në Shqipëri me të njëjtin formacion
Nën drejtimin e Thomas Tuchel, Anglia vazhdon të mbajë rekord të përsosur në kualifikueset e Botërorit, duke fituar 7 nga 7 ndeshje pa pësuar asnjë gol. Trajneri gjerman ka theksuar rëndësinë e lojtarëve që hyjnë nga stoli dhe ndikimin e tyre në sukses.
Kur u pyet për nofkën që do t’i jepte stolit, Tuchel preferoi të marrë shembullin e kampionëve të Kupës së Botës në Rugby të Afrikës së Jugut dhe jo termin që përdor trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.
“Më pëlqen,” tha Tuchel. “Më pëlqen ‘Bomb Squad’ më shumë se ‘finisher’. Kjo është natyra e këtij sporti. Nuk mund të shkojmë në Shqipëri me të njëjtin formacion titullar dhe më shumë akoma në një turne. Nuk bëhet fjalë vetëm për të ndërtuar një formacion startues, por për të ndërtuar një skuadër.”
Ai shtoi se zëvendësuesit janë lojtarë të mëdhenj në klubet e tyre, të mësuar të luajnë dhe ndihen të zhgënjyer kur nuk startojnë, por e pranojnë idenë e ndërtimit të skuadrës. “Vetëm nëse jemi një grup i fortë, që mund të lërë pas egon dhe zhgënjimin, mund të japim kontribut dhe t’i japim trajnerit një problem për të zgjidhur për ndeshjen e ardhshme,” përfundoi Tuchel.
Roli i zëvendësuesve ka rezultuar thelbësor për të mbajtur performancën perfekte të Anglisë në këtë cikël kualifikues.