Drejtori i policisë së Mynihut: Ja pse i monitorojmë me kujdes të gjitha ndeshjet e Shqipërisë
Kohët e fundit, drejtorit të policisë, Christian Schäfer, i është shtuar interesi edhe për një ndeshje futbolli si Andorra kundër Shqipërisë – edhe kur ajo zhvillohet 1300 kilometra larg. Por përvojat e fundit e kanë mësuar se edhe në Mynih mund të priten ngjarje të mëdha sapo diku të luajë kombëtarja shqiptare – dhe kjo pavarësisht rezultatit. Sipas tij, tifozët shqiptarë janë “ata që kanë më shumë prirje për të festuar”, thotë Schäfer, shefi i komisariatit të policisë në Mynih.
Kjo e prek atë dhe oficerët e tij për faktin se duhet të rregullojnë trafikun në Ludwig- dhe Leopoldstrasse dhe të merren me ankesat e banorëve kur atje formohen autokolona festash, si muajin e kaluar: Atëherë Shqipëria mposhti rivalin e përbetuar Serbinë 1:0 në kualifikimet e Botërorit dhe më pas pati trazira nga disa qindra tifozë.
Këto ditë, faza e grupeve të kualifikueseve për Kupën e Botës po shkon drejt fundit, dhe policia e Mynihut po përgatitet të ndërhyjë me forca relativisht të mëdha dhe t’i mbyllë rrugët pjesërisht ose edhe plotësisht nëse njerëzit rrezikohen përsëri. Në fillim të tetorit ishte qëlluar disa herë me armë sinjalizuese nga makinat – “kjo është një gjendje që ne në Mynih nuk e kemi dhe as nuk duam ta tolerojmë”, paralajmëron Schäfer se do të veprojnë me vendosmëri.
Katër ndeshje janë në fokus të policisë dhe të parën e kanë kaluar pa incidente: Pas fitores 1:0 të Shqipërisë kundër Andorrës, të enjten mbizotëroi qetësia në zonën kryesore të Schwabing-ut. Më shumë arsye për festë, sipas Schäfer-it, mund të sjellë ndeshja e fundit kundër Anglisë të dielën. Ai pret edhe shumë shqiptarë që do të vijnë nga jashtë.
Për më tepër, ai ka vënë në shënjestër edhe dy ndeshje të Turqisë: të shtunën ajo luan kundër Bullgarisë dhe të martën kundër Spanjës. Por tifozët e tyre i shqetësojnë më pak, thotë ai: “Ata festojnë vetëm kur fitohet.”