Ardon Jashari: E vështirë pas tre muajsh mungesë, por shumë e bukur

Pas humbjes në miqësoren ndaj Entellës, Ardon Jashari doli para mikrofonave të MilanTV dhe foli për rikthimin e tij në fushë. Mesfushori kuqezi, i cili ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak të merkatos dhe një dëmtimi serioz, u shpreh se ishte një ndjesi e veçantë të luante sërish titullar pas tri muajsh.

Rreth rikthimit në fushë, Jashari deklaroi:

“Është gjithmonë pak e vështirë të rikthehesh të luash kur ke munguar gjatë dhe në fusha si kjo bëhet edhe më e komplikuar. Por në fund të fundit më kishte munguar shumë futbolli. Sot ishte e rëndësishme të gjeja ndjesitë e duhura: të bëja gjëra të mira me topin dhe të vrapoja shumë për skuadrën. Kjo ishte mbi çdo gjë tjetër.”

Për dëmtimin, ai shtoi:

“Kjo ndeshje ishte thelbësore për mua. E vlerësova shumë, sepse trajneri Massimiliano Allegri dhe shokët e skuadrës më ndihmuan pa masë. Gjatë dëmtimit kam marrë shumë mesazhe, dhe edhe kur stërvitesha vetëm në Milanello kam ndier shumë ngrohtësi nga ekipi. Tani shpresoj të rikthehem sa më shpejt në ndeshjet zyrtare për të dhënë maksimumin.”

Për atë që synon t’i japë Milanit, mesfushori u shpreh:

“Dua të jap maksimumin, të ofroj paraqitjet e mia më të mira dhe t’i sjell besim skuadrës edhe në nivel individual. Në fund, më e rëndësishmja është të fitojmë. Do të shohim se çfarë do të arrijmë së bashku.”