VIDEO/ ‘Mos guxo të shkosh të votosh’, kryebashkiakja e Roskovecit në gjyq pas denoncimit të Piranjave në SYRI TV
SPAK ka dërguar për gjykim Kryetaren e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, pas hetimeve të nisura mbi një skandal të publikuar fillimisht nga ‘Piranjat’ në SYRI TV.
Bëhet fjalë për një audiopërgjim ku dëgjohet qartazi se si kryetarja Bufi i bën presion deri në kërcënime një qytetari hallexhi, që ka bindje të kundërta politike me zonjën.
Ajo jo vetëm i kërkon shtetasit, G.B që të mos përfshihet në fushatë, por i bën thirrje që të mos marrë pjesë në votime për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023 dhe të mos përfshihet në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike.
'Mos guxo të shkosh të votosh. Që nga ky moment e derisa të mbarojnë zgjedhjet mos hap gojën, mos flasë as ti as familja jote, por shikonin punën e tij, rri në shtëpi dhe të mos shko fare të votosh.’, dëgjohet të thotë Majlinda Bufi në audiopërgjimin e publikuar nga SYRI TV.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Bufi akuzohet për ‘përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore’, pasi dyshohet se ka ushtruar presion ndaj një qytetari për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 14 majit 2023.
Audio-përgjimi i bërë publik më 6 maj 2023, ku dëgjohen urdhrat e kryebashkiakes drejtuar përfituesit të një programi social, u bë prova kyçe që çoi në thellimin e hetimit dhe përfundimin e tij me dërgimin e dosjes në gjykatë. Ndaj Bufit rëndojnë akuza për kërcënim, presion elektoral dhe përdorim të institucioneve publike për qëllime partiake.
Njoftimi i SPAK:
SPAK dërgon për gjykimin Kryetaren e Bashkisë,Roskovec për ‘Përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore’
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më 14 nëntor 2025, ka dërguar për gjykim procedimin penal nr.98 i vitit 2023, në ngarkim të të pandehurës, Majlinda Bufi, në cilësinë e Kryetares së Bashkisë, Roskovec. Ajo akuzohet për veprën penale, ‘Përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore’, parashikuar nga neni 328/a/3 e Kodit Penal.
Nga analiza e akteve dhe provave të administruara, gjatë hetimeve të kryera për këtë procedim penal, rezulton se e pandehura Majlinda Bufi, në detyrën e Kryetares së Bashkisë Roskovec, në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar shtetasit, G.B, të mos marrë pjesë në votimet për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023 dhe të mos përfshihet në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike.
Më datë 6.5.2023, në orën 14:04, është publikuar në media,artikulli me titull, ‘Mos guxo të votosh – Publikohet audio përgjimi tjetër skandaloz i kryebashkiakes së Roskovecit’. Transkripti i këtij regjistrimi tregon se e pandehura Majlinda Bufi shfaqet e revoltuar nga shtetasi G.B, i cili ishte përfitues i programit social të Bashkisë, ‘Përmirësimi i Kushteve të banimit për familjet e varfëra dhe të pafavorizuara’, i miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak nr. 40 datë 01.3.2022.
Hetimet konstatuan se pavarësisht se kushtet sociale dhe ekonomike të familjes së G.B. e favorizonin atë si përfitues, objekti për të cilin ishte kërkuar mbështetje, nuk ishte banesë ekzistuese, por një objekt i sapo nisur, me mangësi dokumentare mbi pronësinë. Pavarësisht këtyre rrethanave, rezulton se e pandehura kishte dijeni për përfshirjen e tij në program.
Nga hetimi rezultoi se para takimit të regjistruar me kryetaren e Bashkisë, Majlinda Bufi, para zgjedhjeve të datës 14 Maj 2023, në banesën e shtetasit G. B., kishin shkuar punonjësit e IMT-së Bashkia, Roskovec, të cilët i kanë kërkuar llogari për punimet e kryera dhe ndalimin e vazhdimit të tyre.
Më pas, rezulton se shtetasi, G.B ka zhvilluar takimin në ambientet e Bashkisë me të pandehurën, Majlinda Bufi. Biseda është zhvilluar në një formë presioni duke i përmendur se punimet ishin në tejlkalim të ndihmës dhe se shtetasi G.Bkishte kryer ndërtim pa leje. Ndër të tjera në këtë takim, e pandehura Majlinda Bufi i përmend atij faktin se i kishte dërguar mesazhe, ku shtetasi në fjalë i thoshte fitore kandidatit të opozitës.
E pandehura, Majlinda Bufi me pretendimin për të ‘shpëtuar’ shtetasin G.B nga kjo situatë paligjshmërie, ku pretendohej se ai ndodhej, i ka kërkuar: ‘‘Mos guxo të shkosh të votosh. Që nga ky moment e derisa të mbarojnë zgjedhjet mos hap gojën, mos flasë as ti as familja jote, por shikonin punën e tij, rri në shtëpi dhe të mos shko fare të votosh.’ .’
Kërkesa e të pandehurës Majlinda Bufi, drejtuar shtetasit G.B është bërë nën kërcënimin e masave administrative dhe kundër vullnetit të tij. Ai ka ushtruar të drejtën e votës nëdatën 14 Maj 2023, sikurse ka qenë vullneti i tij.