SHBA-të dhe vendet arabe bëjnë thirrje për miratim të shpejtë të draftit të OKB-së për Gazën, Moska kundër
Rusia i ka paraqitur Këshillit të Sigurimit projektrezolutën e saj për Gazën, duke kundërshtuar atë amerikane.
Në tekstin, të parë nga Reuters dhe Channel 12, Moska nuk e përmend demilitarizimin e Rripit dhe kundërshton praninë e Izraelit përtej Vijës së Verdhë.
Për më tepër, nuk përmend Bordin e Paqes për administrimin kalimtar të enklavës, të parashikuar në planin e Trump, dhe në vend të kësaj i ngarkon Sekretarit të Përgjithshëm detyrën e vlerësimit të "opsioneve për vendosjen e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit". "Përpjekjet për të mbjellë mosmarrëveshje do të kenë pasoja të rënda për palestinezët", paralajmëron misioni amerikan.
"Këshilli i Sigurimit hedh poshtë çdo përpjekje për ndryshim demografik ose territorial në Gaza, duke përfshirë çdo veprim që do të zvogëlonte sipërfaqen e Rripit të Gazës", thuhet në draftin rus, duke iu referuar pranisë së forcave izraelite në anën lindore të Vijës së Verdhë që ndan territorin palestinez.
Ai gjithashtu riafirmon "angazhimin e tij ndaj vizionit të një zgjidhjeje me dy shtete" që "jeton krah për krah në paqe" dhe në këtë kontekst "thekson rëndësinë e unitetit dhe integritetit territorial të Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor nën Autoritetin Palestinez".
Në një shënim drejtuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, të raportuar nga Reuters në faqen e tij të internetit, misioni rus deklaroi se "kundërpropozimi i tij është i frymëzuar nga drafti amerikan": "Objektivi i draftit tonë është t'i mundësojë Këshillit të Sigurimit të zhvillojë një qasje të ekuilibruar, të pranueshme dhe të unifikuar për të arritur një ndërprerje të qëndrueshme të armiqësive", thuhet në të.
"Përpjekjet për të mbjellë përçarje tani, ndërsa marrëveshja për këtë rezolutë po negociohet në mënyrë aktive, kanë pasoja të rënda, të prekshme dhe plotësisht të shmangshme për palestinezët në Gaza", tha një zëdhënës i misionit amerikan në selinë e OKB-së. "Armëpushimi është i brishtë dhe ne i bëjmë thirrje Këshillit të bashkohet dhe të ecë përpara për të siguruar paqen e nevojshme", shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara dhe disa vende arabe po bëjnë thirrje për miratimin "e shpejtë" të projektrezolutës së SHBA-së mbi Gazën në OKB . Sipas burimeve diplomatike, Uashingtoni po kërkon një votim në Këshillin e Sigurimit që të hënën, por nuk është e qartë nëse kjo është e realizueshme apo nëse do të rrezikonte një veto nga Rusia dhe Kina./ ANSA.