SYRI TV/ Sanksionomi i Hysës në SHBA, reagon Berisha: Luftar Hysa, mik e favorit i Edi Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se vendimi i SHBA për të sanksionuar familjen Hysa dhe bizneset e tyre si organizatë terroriste është një ekspozim i qartë i narkoshtetit, që sipas tij është ndërtuar nga Edi Rama. Në konferencën për media, Berisha e cilësoi Luftar Hysën si “mikun e preferuar të Edi Ramës”, të lidhur me kartelin meksikan të Sinaloas dhe me figura të larta të qeverisë shqiptare. Ai akuzoi kryeministrin se i ka bërë avokatinë Hysës, duke e shpallur investitor strategjik dhe duke i hapur rrugë pastrimit të parave të drogës në Shqipëri.

Lideri i opozitës reagoi ndaj vendimit të SHBA-së për sanksionimin e familjes Hysa dhe kompanive të tyre, duke sjellë në vëmendje, sipas tij, lidhjet e Edi Ramës me përfaqësues të kartelit të Sinaloas, të cilat janë pranuar publikisht nga vetë kryeministri. Berisha theksoi se vetëm tre vite më parë Rama u ka bërë “avokatinë” vëllezërve Hysa, ndërsa Luftar Hysën e ka trajtuar si investitor strategjik, duke i mundësuar pastrimin e parave të pista.

Sipas Berishës, sanksionimi i vëllezërve Hysa nga SHBA dhe lidhjet e tyre me qeverinë shqiptare “ekspozojnë narkoshtetin e ngritur nga Edi Rama në Shqipëri”.

Gjatë deklaratës së tij, kryedemokrati publikoi edhe deklaratën e prokurorit të Napolit, Nicola Gratteri, për narko-shtetet, duke theksuar se “tashmë askush nuk mund të kundërshtojë lidhjet e Edi Ramës me drogën dhe elementë të lidhur me terrorizmin”.

Berisha paralajmëroi se opozita nuk do të ndalet së denoncuari, siç tha ai, “lidhjet e qeverisë me drogën dhe krimin”.