SYRI TV/ PD kërkon mocion me debat në Kuvend për situatën alamante të krimit

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat për situatën e kriminalitetit në vend, duke ngritur alarmin për ndikimin e tij në ekonomi, media dhe proceset zgjedhore. Duke iu referuar raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe OSBE-ODIHR, PD i kërkon qeverisë të shpjegojë në Kuvend masat që ka marrë kundër krimit të organizuar.

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një kërkesë për mocion me debat lidhur me situatën alarmante të krimit në vend dhe ndikimin e elementeve kriminale në jetën ekonomike, politike dhe në proceset zgjedhore. Në kërkesën drejtuar kreut të Kuvendit, grupi parlamentar i PD-së i referohet raporteve ndërkombëtare, përfshirë ato të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku flitet për pastrimin e parave të krimit të organizuar në ndërtim dhe vepra publike, raporteve të OSBE-së dhe të mediave ndërkombëtare.

Në kërkesën e firmosur nga deputetët Klevis Balliu, Gazment Bardhi, Isuf Çelaj, Blendi Himçi, Klodjana Çapja, Fidel Kreka dhe Klit Hoti, kërkohet që qeveria të japë shpjegime mbi masat e marra në luftën kundër krimit të organizuar.

Gjetjet e këtyre raporteve tregojnë se fenomeni i krimit të organizuar dhe pastrimit të parave mbetet shqetësues, me ndikime në ekonomi, media dhe integritetin zgjedhor. “Në vlerësimin tonë, Kuvendi i Shqipërisë duhet të diskutojë mundësinë për një strategji kombëtare të luftës me tolerancë zero në këtë drejtim dhe masat që ka marrë Qeveria shqiptare deri më tani. Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, kërkojmë mocion për zhvillimin e debatit parlamentar mbi masat e marra nga qeveria për luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar në vendin tonë”, thuhet në kërkesë.

Kërkesa e grupit të PD-së vjen në një kohë kur SHBA ka sanksionuar vëllezërit Hysa, nën akuzën se kanë pastruar paratë e Kartelit të Sinaloas, ndërkohë që këta të fundit kanë marrë leje për ndërtimin e një kazinoje në Vlorë nga kryeministri Edi Rama, me të cilin dyshohet se kanë pasur edhe lidhje miqësore.