SYRI TV - Dyshime për cilësinë e punimeve/ Rruga Qukës - Qafë Plloçë - 260 mln euro investim, degradohet në 2 muaj

Aksi rrugor Qukës- Qafë Plloçë duket se po kthehet në një simbol të keqmenaxhimit të parave publike. Rruga për të cilën janë shpenzuar 260 milionë euro ndërsa u deshën 14 vite punë për përfundimin e saj ka shfaqur shenja të degradimit që në muajt e parë pas inaugurimit. Rrëshqitja e dherave në këtë aks 2 herë në më pak se 1 muaj hedh dyshime serioze mbi projektimin, mbikëqyrjen dhe cilësinë e ndërtimit.

Syri tv

Rruga e re kombëtare Qukës-Qafë Plloçë, e inauguruar më 5 shtator nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duket se nuk ka kaluar as dy muaj nga përurimi kur po shfaqen për herë të dytë shenjat  degradimit. Një rrëshqitje dherash u regjistrua të mërkurën në mesditë në fillim të aksit, duke bllokuar një pjesë të rrugës. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por ngjarja ka shtuar shqetësimet për sigurinë e këtij investimi gjigant. Ky aks rrugor, i cili u planifikua si një ndër investimet më të rëndësishme strategjikisht për lidhjen Lindje-Perëndim, kushtoi 260 milionë euro dhe u ndërtua gjatë 14 viteve të fundit. Por përsëritja e rrëshqitjeve, vetëm pak javë pas një rrëshqitjeje tjetër shkëmbore që bllokoi njërën korsi për orë të tëra, hedh dyshime serioze mbi projektimin, mbikëqyrjen dhe cilësinë e ndërtimit.

Kompania kontraktore ka ndërhyrë për pastrimin e rrugës, ndërsa punimet për stabilizimin e terrenit vazhdojnë. Por fakti që problemi shfaqet në një segment që duhej të ishte “i sigurt” tregon se nuk është çështje e rastësisë, por një dështim sistematik në çdo fazë të realizimit të projektit: nga planifikimi dhe projektimi, te ndërtimi dhe kontrolli i cilësisë.

Në vend që të lehtësojë lëvizjen dhe të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të zonës, rruga Qukës-Qafë Plloçë po kthehet në shembull të mungesës së përgjegjësisë dhe menaxhimit të dobët të fondeve publike. 260 milionë euro, shifra marramendëse që duhet të garantonte një aks të qëndrueshëm dhe të sigurt, nuk kanë arritur të parandalojnë këto dëmtime që shfaqen që tani.

Rruga Qukës-Qafë Plloçë duhet të shërbejë si një paralajmërim për të gjithë institucionet, investimet e mëdha nuk janë një garanci për cilësi nëse mungojnë transparenca, mbikëqyrje e rreptë dhe standarde të larta ndërtimi. Ndryshe, pas 14 viteve punë dhe 260 milionë eurove të shpenzuara, ajo që do të mbetet nuk do të jetë rruga që lidh Lindjen me Perëndimin, por një kujtesë e shtrenjtë e dështimit dhe keqmenaxhimit.