‘15 milionë euro për Onkologjikun’, Erion Dasho: Demagogji, zgjidhja është krejt tjetër
Vendimi i qeverisë për të akorduar një fond shtesë prej 15 milionë eurosh për shërbimin onkologjik është pritur me kritika të ashpra nga ekspertët e fushës, të cilët e cilësojnë atë si një masë të pamjaftueshme dhe demagogjike. Sipas një analize të thelluar, kjo shumë nuk adreson problemet rrënjësore dhe komplekse të trajtimit të sëmundjeve tumorale në vend.
Ekspertët argumentojnë se qasja e qeverisë është "simpliciste", pasi fokusohet në një element të izoluar të një problemi shumëdimensional. Trajtimi i kancerit nuk është thjesht një çështje terapie, por një zinxhir i tërë hallkash që nisin nga parandalimi, diagnoza e hershme, trajtimi multidisiplinar (që përfshin kirurgjinë, radioterapinë, kemioterapinë dhe imunoterapinë) e deri te kujdesi paliativ për pacientët në fazat terminale.
Sipas Erion Dashos i cili foli në një intervsitë në Syri tv, injektimi i një fondi, sado i konsiderueshëm në dukje, është vetëm një "luftë për opinionin publik" dhe nuk ofron një zgjidhje afatgjatë. Ky problem, i njohur tashmë për qytetarët falë edhe kontributit të medias dhe ekspertëve, kërkon një strategji të mirëfilltë dhe jo lëvizje sporadike.
Në këtë kontekst, një sfidë e madhe i paraqitet ministres së re të Shëndetësisë. Duke qenë një profesioniste e njohur në fushën e radiologjisë dhe radioterapisë, me një reputacion që i kalon kufijtë kombëtarë, ajo gjendet përballë një dileme: të ndjekë linjën e "farsës politike" apo të udhëhiqet nga ndërgjegjja e saj profesionale për të sjellë një ndryshim rrënjësor.
Zgjidhja e vërtetë, sipas propozimeve të ekspertëve, qëndron në hartimin dhe zbatimin e një programi kombëtar gjithëpërfshirës. Ky program duhet të mbështetet nga një institut i dedikuar për trajtimin e tumoreve, me një linjë financimi të dedikuar dhe të qëndrueshme. Burimet financiare nuk duhet të varen vetëm nga buxheti i shtetit, por mund të diversifikohen përmes të ashtuquajturave "taksa të mëkatit" mbi duhanin, alkoolin dhe lojërat e fatit.
“Në përfundim, tha Dasho ne bisedë më Edvin Parrucën në edicionin e lajmeve të mesditës në Syri tv, fondi prej 15 milionë eurosh, në universin e gjerë të nevojave të pacientëve onkologjikë, konsiderohet thjesht "një gjilpërë në kashtë", një masë që nuk arrin të zgjidhë krizën e thellë dhe sistemike në këtë fushë jetike të shëndetësisë”.
Edvin Parruca: Nisim nga kjo së pari dhe pastaj shtrihemi më në përgjithësi për fushën e shëndetësisë. Si e shikoni situatën atje? Mund të zgjidhet ajo me këtë buxhet që i ofrohet onkologjikut?
Erion Dasho: Gjithmonë përafrimet e qeverisë ndaj problemeve të shumta që ka sistemi shëndetësor shqiptar, ngelen thjeshtëzuese, ngelen simpliciste dhe adresojnë vetëm elemente shumë të izoluara dhe shumë të vogla të të gjithë spektrit të problemit. Pra, kur flasim për sëmundjet tumorale, trajtimin e të sëmurëve me sëmundje tumorale në Shqipëri, ky është një problem jashtëzakonisht kompleks, i cili ka dhe reflekton probleme të jashtëzakonshme në secilën hallkë të ofrimit të kujdesit shëndetësor. Duke filluar nga parandalimi, për të vazhduar te diagnoza e hershme, tek trajtimi, që ka katër elementë sot për këto sëmundje, që është trajtimi kirurgjikal, trajtimi me imunoterapi, më fal, trajtimi kirurgjikal, trajtimi me radioterapi, trajtimi me kemioterapi dhe së fundmi edhe trajtimet e reja inovatore me imunoterapi.
Pra, është një trajtim multidisiplinar, multi, dhe multidimensional, siç e quajmë ne në kujdesin shëndetësor, për të vazhduar pastaj tek ndjekja në vazhdimësi e pacientit dhe në rastet kur terapia nuk jep më sukses dhe nuk ka më mundësi që të adresojë sëmundjen bazë, është pastaj dhe tek kujdesi paliativ, i cili synon që pacientët të kenë sa më pak probleme, të kenë sa më pak dhimbje, sa më pak vuajtje dhe t'i kalojnë fazat e fundit të sëmundjes në një mënyrë sa më dinjitoze. Pra ky është një problem, siç e njohin tashmë qytetarët, në sajë të kontributit të gazetarëve kurajozë si Osmani, po dhe të shumë ekspertëve që kanë folur dhe flasin në vazhdimësi për këtë problem. Pra, ky është një problem që qytetarët e njohin shumë mirë, përplasen përditë me të dhe e shohin se sa komplekse është. Pra, të thjeshtësosh këtë problem në dhënien e 15 milionë eurove apo 1.5 miliardë lekëve shtesë për terapinë, kjo është, ky është një, kuptohet, një përafrim demagogjik. Ky është një përafrim semplicist, siç e thashë dhe më lart, dhe ky nuk adreson nevojat bazë të këtij problemi kaq të madh të kujdesit shëndetësor në Shqipëri.
Edvin Parruca: Domethënë, është më shumë një luftë për opinionin publik kjo. Pra, aty ku jemi të dobët, të bëjmë një, lëvizje që të duket që po japim reagim.
Erion Dasho: Kjo është thjesht një demagogji siç e thashë. Pra, unë e di dhe të gjithë ne që jemi profesionistë të kësaj fushe, e njohim ministren e Shëndetësisë në një kapacitet tjetër, jo në atë të politikanes, por në kapacitetin profesional dhe ministrja e di shumë mirë të gjitha këto që unë thashë, sepse është një nga personat në fushën e radioterapisë dhe në fushën e radiologjisë, është një nga personat që i takon eminencës evropiane në këtë fushë. Pra, ajo ka punuar në institucione shumë prestigjioze dhe është në dijeni të këtij përafrimi. Pyetja që dhe ajo që ne presim të gjithë dhe shohim tek ministrja e re është, a do të jetë ajo një konformiste? Pra, që të bëhet pjesë e farsës politike, të bëhet pjesë e demagogjisë së kryeministrit dhe të paraardhësve të saj në detyrë, apo do të jetë ndërgjegjja profesionale dhe formimi i saj profesional që do të mbizotërojë dhe ministrja e re do të marrë në dorë këtë problem kaq të rëndësishëm dhe ta adresojë sipas atyre parimeve që unë sapo përmenda. Pra, duke hartuar dhe duke zbatuar në Shqipëri një program rrënjësor për trajtimin e sëmundjeve tumorale, që të përfshijë parandalimin, diagnozën e hershme, trajtimin multidisiplinar dhe kujdesin paliativ. Në qoftë se nuk përafrohemi në këtë mënyrë, nuk do të kemi adresim dhe zgjidhje të këtij problemi.
Dhe për të adresuar problemin në këtë formë, nevojiten shumë më tepër se 15 milionë dollarë ose 15 milionë euro. Nevojiten investime serioze, të cilat unë dhe në kuadrin e angazhimeve politike dhe angazhimeve sociale dhe profesionale që kam në Shqipëri, së bashku me kolegë të tjerë, i kemi hedhur dhe idetë se si mund të realizohet diçka e tillë. Pra, kjo mund të realizohet ashtu sikurse e kishte dhe programi i opozitës në zgjedhjet e 11 majit. Kjo mund të realizohet duke krijuar një institut për trajtimin e tumoreve, i cili të ketë një linjë financimi të dedikuar. Pra, që mund të vijë nga burime edhe të diversifikuara, që mos të jenë vetëm burimet e buxhetit, por të jenë ndoshta dhe ato që në Evropë njihen si taksat që vendosen shtesë mbi produktet e duhanit, produktet e alkoolit, mbi lojërat e fatit, dhe krijojnë mundësinë që të krijohen dhe që të mblidhet një buxhet i mjaftueshëm që të mbështesë këto aktivitete dhe këto veprimtari dhe këto elementë të programit të integruar për adresimin e problemit të sëmundjeve tumorale, i cili duhet thënë se është i shtrenjtë dhe kërkon financim të vazhdueshëm dhe jo thjesht deklarata demagogjike për 1 milion këtu apo 15 milion aty, të cilat në këtë univers të trajtimit të sëmundjeve tumorale janë thjesht një gjilpërë në kashtë...