VIDEO/ Rusia prezanton krenarinë teknologjike…roboti rrëzohet para syve të publikut
Rusia prezantoi këtë javë robotin e parë humanoid me Inteligjencë Artificiale, AIdol, i prodhuar brenda vendit, por debutimi publik nuk shkoi siç pritej. Roboti humbi balancën dhe u rrëzua gjatë demonstrimit në Moskë, duke treguar sfidat që Rusia ka për të konkurruar me vende të tjera si SHBA-të dhe Kina në fushën e robotikës dhe Inteligjencës Artificiale.
AIdol u prezantua në sallën Yarovit Hall të Moskës të hënën, 10 nëntor. Kur robotit iu dha mundësia të ecte në skenë, nën melodinë e kolonës zanore të filmit “Rocky”, ai përshëndeti audiencën, por humbi ekuilibrin dhe u rrëzua. Stafi e mbuloi robotin me një mbulesë të zezë dhe e largoi nga skena.
CEO i startup-it rus Idol, Vladimir Vitukhin, tha se rrëzimi mund të jetë shkaktuar nga kamerat stereo të robotit, të cilat reaguan ndaj dritës në sallë. Ai tha se “ky është mësim në kohë reale që kthehet në përvojë”.
AIdol është krijuar për të kryer tre funksione kryesore: ecjen, lëvizjen e objekteve dhe komunikimin me njerëzit. Robotit i mundësohet të funksionojë në mënyrë automatike deri në 6 orë, dhe fytyra e tij mund të shprehë të paktën 12 emocione bazë dhe qindra mikroekspresione përmes lëkurës prej silikoni.
Të gjitha sistemet e tij funksionojnë pa lidhje me internetin. Aktualisht, 77% e pjesëve të robotit janë prodhim rus dhe kompania synon të arrijë 93% kur fillon prodhimi në masë.
Qeveria ruse dhe kompania po përballen me sfida për shkak të sanksioneve perëndimore pas pushtimit të Ukrainës, të cilat kanë kufizuar qasjen në komponentë elektronikë dhe teknologji të avancuara të nevojshme për robotikën.
Industria ruse e robotikës ka pësuar shumë largime të prodhuesve ndërkombëtarë dhe mungesë të inxhinierëve të kualifikuar.
Debutimi i AIdol tregon se Rusia mbetet shumë pas konkurrentëve ndërkombëtarë. Për shembull, roboti Atlas i Boston Dynamics ka sisteme tejet të avancuara. Po ashtu, Kina ka bërë përparime të mëdha në robotikë, aq sa Elon Musk deklaroi së fundmi se “Tesla dhe kompanitë kineze do të dominojnë tregun e robotikës”.
Presidenti Vladimir Putin ka përmendur shpesh rëndësinë e Inteligjencës Artificiale dhe robotikës për pozicionin global dhe sigurinë kombëtare të Rusisë. Në një fjalim në vitin 2017, ai tha se AI është “e ardhmja jo vetëm për Rusinë, por për gjithë njerëzimin” dhe se kush udhëheq në këtë fushë do të ketë një ndikim të madh global.
Në shkurt 2025, Putin nënshkroi një dekret për Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të AI deri në vitin 2030. Ai ka deklaruar se AI ruse duhet të ndërtohet mbi “vlerat kulturore dhe gjuhësore” të vendit, duke e quajtur “inteligjencë artificiale sovrane.”
Kompania Idol synon që AIdol të përdoret në industri, logjistikë dhe shërbime publike si banka dhe aeroporte. Megjithatë, ata nuk kanë zbuluar se cili sistem AI e kontrollon robotin ose kur pritet të fillojë prodhimi në masë.