Berisha publikon deklaratën e Grattierit: Me këto publikime, askush nuk mund të kundërshtojë lidhjet e Edi Ramës me narko-terroristët
Kryedemokrati Sali Berisha ka publikuar sot një pjesë nga intervista e prokurorit italian Nicola Gratteri, i cili e ka përshkruar Shqipërinë si “narkoshtet”. Berisha tha se, bazuar në këtë intervistë, grupet kriminale shqiptare gjejnë hapësirë për të pastruar paratë brenda vendit, ndërsa në Itali “antimafia nuk lejon një gjë të tillë”. Kreu i PD deklaron se publikimet e tij të sotme synojnë të tregojnë, sipas tij, lidhjet e kryeministrit Edi Rama me organizatat kriminale, pretendime që mbeten objekt polemikash të ashpra politike.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Tani, për ta mbyllur, unë kam zgjedhur këtu intervistën e djeshme të një prej prokurorëve më guximtarë të Italisë, të Napolit, Nicola Grattierit, i cili thotë se Shqipëria është një narkoshtet i mirëfilltë.
Dhe jo vetëm kaq, por thotë se Shqipëria është i vetmi vend ku organizatat kriminale shqiptare lajnë paratë në vendin e tyre sepse janë një me qeverinë dhe institucionet.
Nuk guxon Ndragheta t’i lajë paratë në Itali sepse antimafia e gozhdon.
Por në Shqipëri, kanë parajsën e tyre.
Besoj se me këto publikimet e sotme, nuk mundet të kundërshtojë njeri burimet, lidhjet e Edi Ramës me grupet narko-terroriste të planetit dhe burimet e narkoshtetit në Shqipëri.