'Pensionistët marrin vetëm propagandë, jo rritje reale', Xhixho: Qeveria shpërndan bonusin si rritje pensioni, qytetarët vuajnë pasiguri

Në një postim në rrjetet sociale, Erisa Xhixho shkruan se qeveria po e shfrytëzon shpërndarjen e bonusit të fundvitit për t’ua shitur qytetarëve si “rritje pensioni”. Sipas saj, efekti real financiar është minimal: rreth 100 milionë euro për gjithë skemën e pensioneve, që përkthehet në vetëm 60 lekë në ditë për pensionet urbane dhe 20 lekë për ato rurale.

“Mbi 700 mijë pensionistë vazhdojnë të jetojnë në varfëri dhe pasiguri, nuk përballojnë dot ilaçet, ushqimet, dhe mbështeten nga fëmijët emigrantë. Në vend që të garantohet dinjiteti dhe trajtimi i drejtë, qeveria vazhdon të shpërndajë propagandë boshe,” shprehet Xhixho.

Postimi i plotë:

Projektbuxheti i vitit 2026 nuk sjell asnjë rritje reale për pensionet.

Nuk ka rritje pensionesh, vetëm propagandë boshe. 

Qeveria thjesht ka shpërndarë bonusin e fundvitit përgjatë 12 muajve, duke e shitur si rritje.

Efekti real financiar? Rreth 100 milionë euro për gjithë skemën e pensioneve.

Kjo përkthehet në rreth 60 lekë në ditë për pensionet urbane qe nuk blejnë dot as një bukë. 20 lekë në ditë për ato rurale.

Tallje. Asgjë më shumë.

Ndërkohë mbi 700 mijë pensionistë në të gjithë vendin jetojnë në kushte të vështira, nuk përballojnë dot ilaçet, ushqimet, dhe mbështeten nga fëmijët emigrantë.

Në vend që të garantohet dinjitet dhe trajtim i drejtë, pensionistët vazhdojnë të jetojnë në varfëri dhe pasiguri.