Apeli i GJKKO rrëzon ankimimin e Metës, mbetet në fuqi masa ‘arrest me burg’
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Ilir Metën, duke rrëzuar kërkesën e tij për ndryshim të masës.
Vendimi u mor sot, nga gjyqtarja Saida Dollani, e cila shqyrtoi ankimimin e paraqitur nga Meta, i cili kërkonte shuarjen e masës së sigurisë të caktuar më herët nga shkalla e parë.
Sipas njoftimit zyrtar, Apeli ka miratuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, duke konfirmuar se masa e “arrestit në burg” për Metën do të vazhdojë të jetë në fuqi.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më 14.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 256 akti, datë 04.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit I.M., me objekt: “Ankim kundër vendimit Nr. 672, datë 22.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shuarjen e masës së sigurimit personal të “arrestit në burg” për të pandehurin I.M.” dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 672, datë 22.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
U shpall në Tiranë, me datë 14.11.2025.