Juljan Shehu emocionon me sinqeritetin e tij: Nuk e besoja se do të mbërrinim deri këtu, ëndrra jonë është Botërori
Juljan Shehu ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren ndaj Andorrës, duke u bërë një nga lojtarët më të vlerësuar në fushë. Mesfushori i Kombëtares, i mbushur me emocion pas ndeshjes, nuk e fshehu krenarinë dhe surprizën për rrugëtimin e skuadrës drejt një prej arritjeve më të mëdha në historinë e futbollit shqiptar: kualifikimin në “play off” të Botërorit.
“Sinqerisht, në debutimin tim kundër Andorrës nuk e mendoja se do të ishim këtu ku jemi sot,” – deklaroi Shehu. “E dinim që rruga do të ishte e vështirë, por ajo çfarë kemi përjetuar ka qenë fantastike. Falënderoj gjithë ekipin, sepse vetëm si grup arritëm deri këtu. Kemi bërë ndeshje të mira, të bukura, dhe ky është moment për t’u shijuar.”
Mesfushori theksoi edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve, që sipas tij i bënë lojtarët të ndiheshin si në shtëpi: “Ishte një nga arritjet më të mëdha të futbollit shqiptar dhe tifozët na e shtuan edhe më shumë këtë ndjesi.”
Shehu u ndal edhe te momentet e vështira të ndeshjes dhe topat e gjatë që shpesh i panë të rrezikshme aksionet kuqezi. “Kur përballesh me ekipe që në letër duken më të dobëta, presioni për të shënuar shpejt të çon në gabime të thjeshta. Në pjesën e dytë gjetëm më shumë hapësira dhe ndryshimet taktike të trajnerit bënë diferencën.”
Në fund, mesfushori foli për konkurrencën në formacion dhe ambicien e madhe që bashkon gjithë ekipin: “Jemi të fokusuar te sfida ndaj Anglisë. Botërori është ëndrra jonë dhe tani po mendojmë seriozisht për “play off”-in. Shpresojmë ta bëjmë realitet këtë ëndërr që e kanë të gjithë shqiptarët.”