Rey Manaj prek me dedikimin e tij: Vetëm me harmoni dhe karakter shkohet në Botëror
Pas fitores së rëndësishme 0-1 në Andorra, sulmuesi i Kombëtares Rey Manaj u shfaq i emocionuar dhe i sinqertë në deklaratën e tij, duke ia dedikuar triumfin fizioterapistit të ndjerë të Kombëtares, Ylli Mihali, i cili ndërroi jetë gjatë periudhës së COVID-19.
Manaj theksoi se sfida ishte e parashikuar e vështirë që nga fillimi:
“E dinim që do të ishte ndeshje shumë e komplikuar. Prej tri ditësh ndiheshim nën tension. Në pjesën e parë kërkuam golin menjëherë, por për fat të mirë erdhën momentet vendimtare, Uzuni dha asistin dhe Asllani e mbylli aksionin me gol.”
Sulmuesi kujtoi se skuadra po kalon një moment pozitiv, me tetë ndeshje rresht pa humbje:
“Ndoshta sot nuk ishte ndeshja jonë më e bukur, por me karakter e fituam. Këtu rëndësi ka vetëm Shqipëria. Nuk ka xhelozi kush shënon. Jam i lumtur për Asllanin dhe për çdo lojtar që jep maksimumin.”
Sa i përket situatës me Brojën, Manaj u shpreh se ishte i fokusuar vetëm te festa e ekipit:
“Nuk pashë çfarë ndodhi me Brojën, isha i përqendruar te festimi me djemtë. E rëndësishme është që grupi është mirë, ka harmoni. Ne të vjetrit duhet t’i mbështesim lojtarët e rinj si Berisha apo Pajaziti. Në Kombëtare meritojnë të jenë shumë më tepër se 23 lojtarë.”
Manaj e mbylli me një dedikim të ndjerë, ndër më emocionalët e mbrëmjes:
“Pashë disa foto të Ylli Mihalit sot… na preku të gjithëve. Këtë fitore ia dedikoj atij dhe mbesës së tij të vogël. Ai ka qenë pjesë e rëndësishme e Kombëtares dhe nuk do të harrohet.”
Një mesazh i qartë nga sulmuesi lushnjar: vetëm me bashkim, karakter dhe respekt për fanellën, Shqipëria mund të vazhdojë të shkruajë histori në rrugën drejt Botërorit.