Nesho: Qeveria e Ramës, shtet hajdutësh kleptokratik! Ku janë 430 milionë eurot e zhdukura
I ftuar në emisionin ÇIM PEKA LIVE, foli mbi një sistem korruptiv të thellë në vend, që ai e përshkroi si një “shtet hajdutësh kleptokratik”. Ai u shpreh se vendimet e mëdha qeveritare përdoren shpesh si justifikim për vjedhje masive të fondeve publike, duke përmendur raste konkrete si 50 milionë euro në një rast dhe 430 milionë në një tjetër, përfshirë pagesa për inceneratorët dhe tunelin e Llogarasë.
Sipas tij, ky model veprimi është një mënyrë e vazhdueshme e qeverisë për të keqpërdorur paratë publike dhe shkelur ligjin, ndërkohë që roli i medias mbetet i kufizuar për shkak të konflikteve të interesit dhe servilizmit.
Ai gjithashtu kritikoi përdorimin e gjeopolitikës si alibi për këto keqpërdorime, duke theksuar se bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtarë nuk mund të shërbejë për të justifikuar përdorimin e fondeve publike në mënyrë të paligjshme. Në përfundim, ai nënvizoi pyetjen kyçe: “Ku janë paratë?”, duke theksuar se identifikimi i fondeve të zhdukura është hapi i parë për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar llogaridhënie nga qeveria.
Pjesë nga deklarata:
Unë mendoj që vetë sistemi i ndërtimit të medias dhe konflikti i interesit që kanë pronarët, duke mbajtur edhe media gjë që në gjithë botën e qytetëruar perëndimore është e ndarë, duke krijuar një bord që vendos për këtë çështje është problematik. Ky është fakti që këta pronarë, jo vetëm nga servilizmi, por edhe nga interesat, e dinë se kur të bëjnë servilizëm dhe presion. Por është vetë sistemi korruptiv i Ramës, i cili ka arritur në ato nivele, duke krijuar një shtet hajdutësh, kleptokratik, që vjedh hapur 50 milionë këtu, 430 milionë aty, vazhdon pagesat për inceneratorët, paguan tunelin e Llogarasë e kështu me radhë, pa pikën e dyshimit se po bën një veprim që është kundër jo vetëm interesave të vendit, por edhe shkelje e hapur e ligjit.
Tani dalim tek çështja e gjeopolitikës. Çdo justifikim përpara kësaj vjedhjeje të jashtëzakonshme, që me të drejtë lideri i opozitës tha se nuk ka ndodhur kurrë në historinë e shtetit shqiptar, nuk mban. Asnjë vendim gjeopolitik nuk justifikon paratë që dalin nga buxheti i shtetit. Kjo është alfa në çdo qeverisje demokratike kudo në një vend, në një republikë parlamentare. Domethënë, gjeopolitika është mënyra se si bashkëvepron me aleatët për çështje strategjike në nivel të lartë, por jo të përdorësh lekët e kontributit të popullit shqiptar si justifikim. Prandaj, të gjitha këto janë alibi për të mbuluar një veprim të pajustifikueshëm. Veprimi i këtij televizioni dhe i këtij emisioni është në shërbim të interesave të qytetarëve, sepse kjo nuk tregon vetëm një akt të veçantë korrupsioni, por një mënyrë veprimi të qeverisë në mënyrë të vazhdueshme. Ku janë paratë? Pikërisht kjo duhet të gjendet. Prandaj këtu duhet nisur.
Në fund, del qartë që pavarësisht guximit të prokurorit për të cilin duhet të përgëzohet veprimi i tij është i domosdoshëm për arsye se ka marrë një përgjegjësi të tillë, jo sepse po bën diçka të lavdërueshme, por duke ditur shtypjen e krijuar nga zoti Rama. Sigurisht, kjo është për t’u përgëzuar.