Skandalet qeveritare dhe heshtja e mediave/ Shehu: E dimë shumë mirë kush janë pronarët... të tregojnë si financohen

Me debate ka nisur emisioni ‘Çim Peka Live’ këtë të enjte, teksa janë diskutuar skandalet e qeverisë Rama dhe heshtja e mediave përballë këtyre skandaleve.

E ftuar në studio, gazetarja Jonida Shehu u përfshi në një debat të ashpër, lidhur mbi rolin dhe etikën e medias në Shqipëri, e cila ka shpërfaqur ndasitë e thella në qasjen gazetareske ndaj skandaleve politike.

U argumentua gjithashtu nga gazetarja Shehu, se gazetaria profesionale kërkon më shumë sesa thjesht përsëritjen e informacioneve tashmë të dala në portale. Pa fakte të reja, pa zëra nga palët e përfshira apo pa një zhvillim të ri, trajtimi i përditshëm i temës rrezikon të kthehet në një terren spekulativ dhe politikisht të instrumentalizuar. “Nëse nuk ke diçka të re për të sjellë, mund të vendosësh të mos e bësh, sepse mund të hysh në terren spekulimi,” u shpreh Shehu, duke theksuar se çdo redaksi ka filtrin dhe metrin e saj të gjykimit.

Debati mori dimensione më të thella kur u prek çështja sistemike e pronësisë dhe financimit të medias në Shqipëri. U pranua gjerësisht se peizazhi mediatik është i ndërlikuar, ku burimet e financimit shpesh janë të lidhura me interesa biznesi dhe politike, duke e bërë të vështirë pavarësinë editoriale.

“Ne e dimë shumë mirë kush janë pronarët e mediave dhe me çfarë i financojnë ato. Në Shqipëri, çdo gjë në fund të ditës përfundon tek shteti,” tha ajo, duke sugjeruar se problemi është strukturor dhe nuk lidhet vetëm me një rast të veçantë.

Kjo përplasje argumentesh la të hapur pyetjen thelbësore mbi shëndetin e demokracisë dhe rolin e medias si pushtet i katërt në vend.

Ne mund t'u bëjmë gjyqin mediave, po minimalisht duhet t'i kemi përfaqësuesit e këtyre mediave në një tryezë që të bëjmë debat me argumenta të tipit, pse mendove që është më mirë të bësh këtë tematikë apo një tematikë tjetër. Sepse çdonjëri prej nesh, edhe ne që jemi profesionistë, kur vendosim të bëjmë një tematikë, është shumë emergjente të bëhet sot, ka, domethënë ka disa arsye pse ti vendos të bësh një tematikë. Një është arsyeja. Por në qoftë se ti nuk ke diçka të re për të sjellë për këtë çështje, domethënë mund të vendosësh që të mos e bësh sepse mund të jesh në terren spekulimi ose në terren shumë politik që le të themi nuk do të hysh pa pasur fakte apo pa pasur zëra. Unë nuk e di, po kam gjithë, domethënë dyshimin e arsyeshëm që të mendoj në mënyrë pozitive pa pasur gjithë argumentat pse bëjnë që janë të blera.

Padyshim mund të bësh, mund të bëj një lloj, domethënë edhe llogjikë e tillë edhe lidhje të tilla të shkurtra mund të bëjë dikush, unë nuk e kam të arsyeshme. Po unë jam e prirur. Nuk e di a do e bëja emisionin, në këto kushte dhe a do e bëja emisionin përditë. Patjetër që kjo është tematikë e rëndësishme, do duhej bërë patjetër. Nuk e di a do ta bëja përditë dhe në mënyrë konsistente siç e bën ti. Dhe është pak, domethënë, ne jemi pjesë, kur ti e bën përditë, dhe thua unë po e bëj, të tjerët s'po e bëjnë. Po ta bënin të tjerët, ti nuk do ta bëje. Dosja nëpër portale ka dalë, kam mjaftueshëm portale opozitare.  Po si ku shkruhet? Domethënë shumica e portaleve e kanë nxjerrë, kam mjaftueshëm portale opozitare për të lexuar segmentet që ne i pamë material te... domethënë janë në terren spekulativ për momentin. Palët nuk të dalin të të flasin.

Unë nuk jam këtu për të mbrojtur askënd. Unë jam këtu për të mbrojtur llogjikën time që çdo anë ka pjesë të zeza, pjesë të bardha po ka dhe pjesë ndërmjet, në mes. Mua nuk më pëlqen t'i shikoj gjërat shabllon. Dhe të bëj lidhje të shkurtra që detyrimisht kanë pasur një arsye të tillë, që padyshim mund të qëndrojë, të jetë arsye politike..., ne nuk kemi nevojë të shohim tendencën e mediave a janë të kontrolluara apo jo në një situatë si kjo. Ne mjafton të shikojmë si janë të ndërtuara mediat në Shqipëri.

Kush janë financuesit e mediave në Shqipëri dhe me çfarë parash mbajnë televizionet. Domethënë nuk kemi nevojë ta testojmë përditë dhe të testojmë gazetarët përditë me këtë gjë. Nuk presim ne. Ne e dimë shumë mirë dhe le të themi edhe në formë zyrtare e dimë shumë mirë kush janë pronarët e mediave, me çfarë i financojnë mediat dhe a janë burimet e tyre para që vijnë nga marketingu i bollshëm në këtë vend, nga paratë e bizneseve që nuk varen nga shteti, po domethënë ne e dimë shumë mirë, në Shqipëri çdo gjë në fund të ditës përfundon tek shteti. Mund të ketë presione që unë, me thënë të drejtën nuk i di të drejtpërdrejta. Po kam bërë dhe gjëra që në syrin e dikujt tjetër mund të duken si gjëra kundër qeverisë në një vend ku qeveria kontrollon gjithçka. Dhe me thënë të drejtën, nuk më ka thënë njeri si e bëre dhe pse e bëre.