Lamine Yamal, talent i jashtëzakonshëm, por ‘kampion’ për të ndezur polemika
Lamine Yamal, ‘ylli’ i ri i Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, është pa dyshim një nga talentët më të mëdhenj të futbollit botëror, por njëkohësisht edhe një nga futbollistët më të përfolur për polemikat që e shoqërojnë brenda dhe jashtë fushës.
Rasti më i fundit që ka trazuar opinionin publik është ai me kombëtaren e Spanjës. Sulmuesi u detyrua të mungonte për shkak të një trajtimi mjekësor me radiofrekuencë, për të cilin Federata Spanjolle (RFEF) nuk ishte njoftuar. Ky trajtim kërkonte pushim absolut për 7 deri në 10 ditë, dhe mospasja e komunikimit me federatën shkaktoi një përplasje të fortë mes RFEF-së dhe Barcelonës. Përgjigjja e klubit katalanas, në vend që të qetësonte situatën, e përkeqësoi atë, duke e vënë sërish Yamal-in në qendër të kritikave.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që emri i Yamal-it lidhet me polemika. Vetëm pak javë më parë, ai vendosi të mos nënshkruante më autografe falas për tifozët, duke shkaktuar pakënaqësi të madhe. Në të njëjtën linjë, nëna e tij propozoi organizimin e një darke me tifozët, por me pagesa që varionin nga 100 deri në 350 euro, gjë që u konsiderua si mënyrë përfitimi e papërshtatshme.
Edhe babai i tij, Mounir Nasraoui, ka ndezur debate të tjera, duke komentuar haptazi mungesën e një trofeu individual për të birin dhe duke kritikuar rivalët e Real Madridit para “El Clasico”-s.
Së fundmi, festimi i ditëlindjes së 18-të të Yamalit shkaktoi reagime të ashpra, pasi në festë u angazhuan persona me nanizëm, gjë që u dënua publikisht nga ADEE, shoqata spanjolle që mbron të drejtat e personave me displazi skeletore, e cila paralajmëroi masa ligjore dhe sociale.
Talenti i Yamal-it është i padiskutueshëm, por sjelljet dhe rrethanat që e rrethojnë po e shndërrojnë atë në një figurë po aq polemike sa edhe brilante në fushë.