VIDEO/ Cara në SYRI TV: Paqja fiskale e Ramës është pastrim parash për miqtë e tij

Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, i ftuar në edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, ka komentuar nismën e kryeministrit Edi Rama për të ashtuquajturën ‘paqja fiskale’ me bizneset, duke e cilësuar atë si një skemë për pastrim parash dhe favorizim të klientelës qeveritare.

Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Cara u shpreh se, ‘këtë vit, vit nuk e sollëm fare. Pra, si mund të flasim ne për parashikim të ardhurash, kur nuk më thua se çfarë do rrisësh dhe çfarë do zbresësh. Kanë përmendur këto ditë që se keni dëgjuar atë paqen fiskale. E keni dëgjuar? E dini çfarë është?’

Deputeti demokrat sqaroi për publikun logjikën e kësaj nisme.

‘Ta shpjegoj, ta shpjegoj dhe për publikun. Do ja shpjegoj shumë thjesht që ta kuptojnë të gjithë. Pra, ato thonë që në qoftë se unë kam një vit biznes dhe kam fituar 1000 lekë, thonë, në qoftë se ti shkon ke zyra e tatimeve dhe i thua unë këtë vit kam fituar 1000 lekë. Vitin tjetër po ta bëj parapagim 18% më shumë. Dhe ti për tre vite nuk ke të drejtë të më vish për kontroll. Pra, në qoftë se kam fituar vitin e parë 1000 lekë, unë paguaj 118, taksa ka qenë një, paguaj 118, 100 dhe me radhë. Pra, vetëm 18%.’

Cara theksoi në SYRI TV, se kjo formulë favorizon ndërtuesit dhe bizneset e lidhura me pushtetin.

‘Po mirë. Sa firma kemi ne tani në këtë moment, që janë firma të reja ndërtimi, që po marrin, që vitin e parë mund të kenë fituar shumë pak, sepse nuk kanë bërë bilanc, por vitin e dytë, të tretë, të katërt, mund të fitojnë jo 18% më shumë, por mund të fitojnë 1000 herë më shumë, siç janë firmat e ndërtimit. A ka rast më të pastër për pastrimin e parave dhe për të fshehur pikërisht detyrimet?’

Sipas tij, e gjithë kjo nismë është një mënyrë për të mbrojtur klientelën ekonomike të mazhorancës.

‘Super çështje kjo e ngritur, sepse ai pastaj thotë do paguash, për vitet në vazhdim do paguash ë pesë përqind e me radhë. Pra, kjo është një mënyrë pikërisht për të ndihmuar pikërisht miqtë e Ramës, se nuk ka mënyrë tjetër.’