SYRI TV/ Mbledhje e përbashkët e qeverive Itali-Shqipëri, Rama-Meloni pranojnë dështimin e paktit
Kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni pranuan dështimin e paktit për refugjatët gjatë konferencës së mbajtur pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Shqipëri dhe Itali. Ndërsa nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi, dy kryeministrat folën edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, për të cilin Rama mban shpresë se do të ndodhë kur Italia të marrë presidencën e Këshillit Europian.
Në Romë u mbajt sot mbledhja e parë e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane. Kryeministri Edi Rama u prit në takim nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ndërsa dy qeveritë nënshkruan 15 marrëveshje bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm. Por firmosja e këtyre marrëveshjeve duket se ishte më shumë një kamuflim për dështimin e paktit Rama-Meloni për qëndrën e refugjatëve në Shqipëri.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, të dy kryeministrat pranuan dështimin e marrëveshjes për refugjatët, e cila, pas gati dy vitesh, ende nuk është vendosur në zbatim.
Nga ana tjetër, shpresat e kryeministrit Edi Rama për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian duket se varen nga koha kur Italia do të marrë presidencën e Bashkimit Europian, që parashikohet në vitin 2028.
Gjatë konferencës nuk munguan skandalet e zakonshme diplomatike që shkakton vazhdimisht kryeministri Edi Rama. Ndërsa doli serish në pah rreziku që Shqipëria mund të pengohet në procesin e anëtarësimit në BE përmes një vetoje greke, deklaratat e Ramës për këtë çështje ishin sërish në një gjuhë të pakujdesshme dhe joetike ndaj homologut grek Kyriakos Mitsotakis.
Kryeministri Rama u shpreh sërish i gatshëm që Shqipëria të bëhet pjesë e unionit, pa të drejtë vetoje, pavarësisht se komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Bashkimi Europian nuk e konsideron një mundësi të tillë.