SYRI TV/ ‘Shqipëria është një narkoshtet’. Intervista e Gratteri: Mafia shqiptare ka kapital të frikshëm!

SYRI TV

Kryeprokurori i Napolit Nicola Gratteri, e ciliëson Shqipërinë narkoshtet pasi e gjithë struktura shtetërore e vendit është lidhur me bandat dhe trafikantët e drogës. Sipas Gratterit elemtë të krimit të organizuar që bëjnë trafik ndërkombëtar të drogave të forta kanë lidhje direkte me ministra dhe ish ministra të shtetit shqiptar.

Prokurori i përgjithshëm i Napolit, Nicola Gratteri në një intervistë për gazetarin italian Nello Trocchia ka folur sa i takon pozicionimit të mafies shqiptare në arenën ndërkombëtare të trafikimit të kokainës. Kryeprokurori Gratteri thotë se Shqipëria është një narkoshtet pa ekzagjerim.

“Sot, grupet kriminale shqiptare disponojnë kapital të jashtëzakonshëm dhe mund të mbështeten në lidhje e mbrojtje brenda institucioneve. Ato përdorin në mënyrë të vazhdueshme korrupsionin, duke shfrytëzuar teknologjitë më moderne informatike. Ndryshe nga mafiet e tjera, që nuk investojnë në vendet e origjinës, grupet kriminale shqiptare i riciklojnë të ardhurat e tyre në industri e sektorë të ndryshëm të vendit dhe janë gjithnjë e më shumë të orientuara drejt pushtimit të tregjeve të reja”.

I pyetur nga gazetari italian Nello Trocchia mbi fuqizimin e mafies shqiptare kryeprokurori shprehet:

“Grupet shqiptare fillimisht e nisën me trafikun e marijuanës, për të kaluar më pas te heroina, falë lidhjeve me mafien turke, dhe në fund te kokaina, në tregtinë e së cilës janë bërë ndërmjetës ndërkombëtarë. Të ardhurat nga këto veprimtari u kanë dhënë grupeve shqiptare fuqi të mëtejshme ekonomike e politike. Ato kanë shumë ngjashmëri me ’Ndranghetën. Janë të  pranishëm në portet e Roterdamit, Anversës dhe Hamburgut; administrojnë pjesën më të madhe të kokainës që shitet në Evropë dhe kontrollojnë pothuajse të gjitha pikat e shpërndarjes në Londër”.

Sa i takon shtrirjes së marrëdhënieve që mafia shqiptare ka arritur të krijojë në një pjesë të madhe të vendeve europiane dhe jo vetëm prokurori thotë se kanë arritur të depërtojnë frikshëm në bazat kryesore të drogës.

“Është bërë partnere tregtare e ’Ndranghetës, falë së cilës ka arritur të vendoset në Amerikën Latine, veçanërisht në Ekuador, Kolumbi dhe Brazil. Ajo ka marrëdhënie me organizatat kryesore kriminale transnacionale që veprojnë në Evropë, Amerikën e Veriut e të Jugut, dhe po e drejton gjithnjë e më shumë vëmendjen drejt tregjeve aziatike e australiane”.

Sipas kryeprokurorit italian lufta kundër mafies shqiptare është bërë e vështirë kjo pasi lidhjet e tyre shkojnë deri në qarqet më të ngushta të politikës.

“Në rastin e grupeve shqiptare, ato kanë të gjitha karakteristikat e mafieve italiane: nga kontrolli i territorit deri te aftësia për të ofruar “shërbime”, siguri dhe mbrojtje. Përveç mbështetjes që marrin, ato përfitojnë nga bashkëpunimi i heshtur dhe lidhjet e forta me sipërmarrës, politikanë dhe profesionistë, duke ndërtuar një rrjet ndikimi që përhapet nga Tirana deri në Londër e Amerikën Latine”.

Intervista e kryeprokurorit Nicola Gratteri për gazetarin italian konfirmon edhe njëherë se sa fuqi dhe pushtet i është dhënë mafies shqiptare duke e ngritur në majat më të larta të trafikimit dhe krimit të organizuar.