Kualifikimi në Botëror, objektiv historik dhe përfitim i ndjeshëm financiar

Përfaqësuesja Shqiptare ëndërron të arrijë për herë të parë në finalet e një Kampionati Botëror, një objektiv që përveç rëndësisë së madhe sportive, do të sillte edhe përfitime të mëdha financiare për FSHF-në.

Aktualisht, rezultatet në eliminatore dhe vetë play-off-i nuk parashikojnë shpërblime monetare. Megjithatë, nëse Shqipëria do të arrijë të jetë mes 48 skuadrave pjesëmarrëse në Botërorin 2026, Federata Shqiptare e Futbollit do të përfitojë rreth 9 milionë euro nga FIFA vetëm për pjesëmarrjen në fazën finale. Përveç kësaj, çdo fitore në grup do të shpërblehet me 1.5 milionë euro, ndërsa një barazim me 500 mijë euro. Një arritje e tillë do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e projekteve të futbollit vendas, duke forcuar edhe më tej infrastrukturën sportive.

Para se të mendohet për finalet, ekipi kuqezi duhet të sigurojë kualifikimin në play-off, një fazë që luhet me eliminim të drejtpërdrejtë në një ndeshje të vetme. Aktualisht, mundësitë janë që Shqipëria të përballet me kundërshtarë të fortë si Polonia, Çekia, Sllovakia apo Italia, megjithëse kombinimet përfundimtare do të përcaktohen në muajt në vijim. Përballjet e play-off-it do të zhvillohen në mars 2026.