Arsimi dhe shoqëria kanë më shumë rëndësi se paratë për të shijuar artin

Kush shkon të ndjekë artet "elitare" si baleti apo opera, nuk varet vetëm nga pasuria, sipas një studimi të ri.

Studimi tregon se arsimi dhe lidhjet shoqërore kanë më shumë ndikim sesa të ardhurat në pjesëmarrjen në aktivitete kulturore të tilla.

Studiuesit donin të kuptonin pse disa njerëz shkojnë rregullisht në opera, galeri arti apo koncerte muzike klasike, ndërsa të tjerë pothuajse kurrë.

Rezultatet, të botuara në Journal of the Association for Consumer Research, tregojnë se shpjegimi shkon shumë përtej parave.

Ata analizuan rreth 7500 persona në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara për të zbuluar se çfarë i shtyn njerëzit të marrin pjesë në artet "elitare".

U zbulua se niveli arsimor, fjalori dhe rrjetet shoqërore janë tregues shumë më të fortë të përfshirjes kulturore sesa gjendja financiare.

Dr. Joe Gladstone, bashkautor i studimit, tha: "Në Britani zbuluam se kapitali kulturor, si arsimi, njohuritë dhe aftësitë gjuhësore, është faktori kryesor që përcakton kush ndjek artet elitare. Në SHBA, ishte kapitali social, rrjetet, grupet dhe statusi profesional, që kishte rolin më të madh. Kapitali ekonomik kishte rëndësi, por më pak nga sa mendohej."

Këto gjetje sfidojnë idenë e vjetër se çmimet e biletave apo të ardhurat janë pengesat kryesore për hyrjen në muze, teatër apo sallat e koncerteve.

Edhe pse kostoja ka ndikim, studimi tregon se pjesëmarrja ndikohet edhe nga sa rehat apo të lidhur ndihen njerëzit në këto ambiente.

Dr. Gladstone, profesor në Universitetin e Kalifornisë, San Diego, tha: "Imagjinoni të jeni ftuar në një hapje ekspozite ku të gjithë flasin një 'gjuhë' që ju nuk e kuptoni. Edhe nëse mund të përballoni biletën, mund të mos ndiheni se i përkisni atij vendi."

Ai shtoi se këto janë barriera shoqërore e kulturore, jo vetëm ekonomike.

Studimi, i zhvilluar bashkë me dr. Silvia Bellezza nga Columbia Business School, përdori tregues të kapitalit kulturor, social dhe ekonomik për të parashikuar pjesëmarrjen në artet elitare.

Në Britani, ku klasat dhe arsimi mbeten më të ngurtë, dominon kapitali kulturor. Në SHBA, ku rrjetet dhe lëvizshmëria sociale kanë më shumë rëndësi, dominon kapitali social.

Dr. Bellezza tha: "Nëse synimi është që hapësirat kulturore të jenë përfshirëse, ulja e kostos është e rëndësishme, por po aq e rëndësishme është t'u jepet njerëzve gjuha dhe lidhjet e duhura për t'u ndierë se i përkasin diçkaje."

Ekipi i studiuesve beson se programet e edukimit dhe mentorimit artistik, veçanërisht ato që i prezantojnë të rinjtë me botën e artit dhe normat e institucioneve kulturore, mund të jenë më efektive sesa ndihmat financiare.

Ata përfunduan se kultura është njëkohësisht "shumë personale dhe thellësisht shoqërore."

Dr. Gladstone shtoi: "Ne shpesh e mendojmë artin dhe muzikën si shije personale, por në fakt ato janë pjesë e strukturës shoqërore, të ndërthurura me arsimimin, miqësitë dhe identitetin tonë." / Daily Gazette - Syri.net