Goditje e rëndë për Vorën: Bernard Karrica operohet në Finlandë, mungon deri në maj

Klubi i Vorës është përballur me një lajm të keq, pasi sulmuesi i tij, Bernard Karrica, është detyruar t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në muskujt e kofshës. Siç ka bërë të ditur vetë klubi, ndërhyrja është kryer me sukses në Finlandë, por rikuperimi pritet të zgjasë rreth pesë muaj, çka do ta mbajë sulmuesin jashtë fushave deri në muajin maj.

Ndeshja e fundit që Karrica zhvilloi ishte ajo ndaj Bylisit, ku ai arriti të gjente rrugën e rrjetës, ndonëse skuadra e tij u mund me rezultatin 2-1.

Në komunikatën zyrtare të klubit thuhet:

“Sulmuesi ynë Bernard Karrica i është nënshtruar me sukses operacionit në muskujt hamstring dhe pritet të mungojë rreth 5 muaj.

Një falënderim i veçantë për Dr. Lasse Lempainen dhe gjithë stafin e Pihlajalinna Hospital Turku – Finlandë për profesionalizmin dhe kujdesin gjatë gjithë procesit.

Klubi dhe bashkëlojtarët janë të lumtur që gjithçka ka shkuar mirë dhe i urojnë Bernardit shërim të shpejtë. E presim me padurim të rikthehet në fushë edhe më i fortë se më parë.”

Karrica konsiderohej si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Vorës në repartin ofensiv dhe mungesa e tij do të jetë një goditje e ndjeshme për skuadrën në vazhdën e kampionatit të Kategorisë Superiore.