Shkencëtarët zbulojnë mënyrën më efikase për të shkrirë akullin te makinat

Studiuesit e Virginia Tech kanë zhvilluar një mënyrë të re dhe efikase për të shkrirë akullin te makinat, duke përdorur elektricitet në vend të nxehtësisë ose kimikateve. Metodat tradicionale kërkojnë shumë energji ose përdorin substanca toksike.

Profesori i inxhinierisë mekanike Jonathan Boreyko dhe ekipi i tij kanë krijuar një metodë të quajtur shkrirje elektrostatike (EDF), që heq ngricën duke shfrytëzuar vetitë elektrike të vetë akullit. Studimet e mëparshme treguan se tensioni i vogël brenda ngricës mund të polarizojë molekulat e ujit pranë saj, duke dobësuar lidhjet midis kristaleve të akullit. Sistemi i ri e forcon këtë efekt duke aplikuar tension të lartë në një elektrodë mbi sipërfaqe, që tërheq ngricën përmes forcës elektrostatike.

Pa tension të aplikuar, 15% e ngricës u shkëput vetë. Me 120 volt, u hoq 40%, dhe me 550 volt, 50%. Por rritja e mëtejshme uli efikasitetin: me 1100 volt u hoq vetëm 30%, e me 5500 volt, 20%. Shkaku ishte rrjedhja e ngarkesës elektrike në sipërfaqen metalike.

Kur përdorën një sipërfaqe superhidrofobike (që nuk lejon ngjitjen e ujit), rezultatet u përmirësuan ndjeshëm: në tensionet më të larta, deri në 75% e ngricës u hoq, duke zbuluar logon e fshehur “VT”.

Kërkuesit synojnë ta përsosin EDF-në për të arritur shkrirje të plotë, me kosto të ulët dhe pa kimikate. Boreyko tha se qëllimi është që kjo teknologji elektrike të bëhet një alternativë e lirë, e pastër dhe me konsum të ulët energjie për automjete, avionë dhe pajisje industriale.