Hetim kundër korrupsionit në Ukrainë: Kievi do të auditojë të gjitha kompanitë shtetërore

Ukraina po nis një auditim masiv anti-korrupsion të të gjitha kompanive shtetërore, njoftoi të enjten kryeministrja Yulia Svyrydenko, mes një hetimi mbi një skemë të dyshuar korrupsioni që përfshin kompaninë shtetërore Energoatom.

Kievi po përgatit një “vendim gjithëpërfshirës në lidhje me të gjitha ndërmarrjet shtetërore, përfshirë ato në sektorin e energjisë”, tha Svyrydenko.

“Auditimet janë duke u zhvilluar dhe bordet mbikëqyrëse janë udhëzuar të rishikojnë operacionet, veçanërisht praktikat e prokurimit.”

“Zhdukja e korrupsionit është çështje nderi dhe dinjiteti”, theksoi kryeministri i Ukrainës. “Ne mbajmë përgjegjësi para mbrojtësve tanë”.

Më herët të enjten, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy nënshkroi një dekret që vendoste sanksione ndaj biznesmenëve Timur Mindich dhe Oleksandr Tsukerman, të cilët janë të përfshirë në hetimin për korrupsion.

Të martën, zyra antikorrupsion e Ukrainës (NABU) ngriti akuza ndaj tetë personave për ryshfet, shpërdorim detyre dhe pasurim të paligjshëm. Ajo gjithashtu publikoi kaseta ku grupi, duke përdorur emra të koduar dhe gjuhë të koduar, diskutonte për ryshfete dhe raste të dyshuara.

Sipas NABU-së, Mindich — ish-partneri në biznes i Zelenskyy — besohet të jetë organizatori kryesor i skemës së dyshuar të korrupsionit.

Sanksionet vendosen për tre vjet si për Mindich ashtu edhe për Tsukerman, të cilët janë shtetas izraelitë.

Të mërkurën, Ministri i Drejtësisë i Ukrainës, Herman Halushchenko dhe Ministrja e Energjisë Svitlana Hryshchuk, dhanë dorëheqjen në mes të hetimit.

Brukseli thotë se hetimi vërteton se masat kundër korrupsionit funksionojnë

Komisioni Evropian tha të enjten se hetimi ka vërtetuar se organet anti-korrupsion të vendit, “funksionojnë”.

Brukseli theksoi se përpjekjet e vazhdueshme për të luftuar korrupsionin, janë një kërkesë kyçe në procesin e anëtarësimit në BE.

“Mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme të nënvizohet se këto hetime që po zhvillohen në Ukrainë tregojnë se masat kundër korrupsionit funksionojnë dhe institucionet janë aty për ta luftuar atë pikërisht”, tha zëdhënësja kryesore e BE-së, Paula Pinho.

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha se Ukrainës i duhej një "agjendë e besueshme reformash dhe masa të forta kundër korrupsionit", ndërsa iu drejtua Konferencës së Investimeve BE-Ukrainë në Varshavë.

“Me Ukrainën, ne po punojmë shumë për të ndërtuar besimin për të përparuar me vendosmëri dhe për t'u përgatitur për një rindërtim të suksesshëm”, tha Kos.

Pas një telefonate me Zelenskyn, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se të dy diskutuan hetimin e fundit kundër korrupsionit.

"Ne presim që Ukraina të vazhdojë me masat dhe reformat kundër korrupsionit në vendin e saj."/ Euronews.