SYRI TV/ BE denoncon zgjedhjet e 11 majit, Gonzato: Gara ishte e pabarabartë

 

 

Bashkimi Europian ngriti sërish shqetësimin për garën e pabarabartë në zgjedhjet e 11 majit, duke denoncuar përdorimin e burimeve shtetërore. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, kërkoi një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, duke adresuar sa më parë problematikat që lidhen me keqpërdorimin e burimeve publike nga partia në pushtet.

SYRI TV

Bashkimi Europian ka denoncuar sërish garën e pabarabartë në zgjedhjet e 11 majit dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore nga qeveria. Gjatë një tryeze diskutimi së bashku me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, kërkoi adresimin e këtyre problematikave për të siguruar garë të barabartë, duke theksuar se reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe me konsensus.

Ndërsa Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ngriti shqetësimin për depolitizimin e administratës zgjedhore, duke kërkuar nga palët politike që të adresojnë sa më parë këtë çështje me nisjen e punës për reformën elektorale.

Deklaratat u bënë gjatë një aktiviteti mes përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe KQZ-së, me fokus një program të bashkëfinancuar nga BE, që ka në qendër mbështetjen për integritetin e procesit zgjedhor në Shqipëri.