Shteti ngrihet në këmbë për shembjet e koteceve dhe mbyll sy e veshë për vrasjet mafioze
Ndonëse vendi ynë u trondit pak ditë më parë nga një vrasje mafioze në Rinas me një të vrarë e një të plagosur rëndë, ende Policia e Shtetit nuk ka mundur të gjejë autorët. Edhe pse veprimet e tyre ndodhën në mes të ditës, të pashqetësuar nga kamerat dhe në një zonë publike ku siguria supozohet të jetë më e lartë, vrasësit arritën të largoheshin të qetë pasi kryen mision e nisur.
E si për të mos mjaftuar kjo situatë ku krimi është ulur këmbëkryq i pashqetësuar nga shteti, ky i fundit sheh si zgjidhje të zgjuar të ndërmarrë një aksion për prishjen e disa koteceve pulash në Ndroq. Sikur të ishte kjo hallka e fundit e mbetur e institucioneve në vend.
Për Syri TV, banorët e fshatit Ndroq kanë treguar se edhe janë gjobitur për këto kotece pulash dhe rrethimin e tokës, që sipas tyre i kanë bërë për të mos hyrë bagëti apo kafshë të tjera.
Banori: Unë quhem Sulejman Bardhi. Më datën 20 gusht ka qenë ora 15:00. Ishin tre makina të IMT-së. Unë rastësisht dola te rruga se kisha punët e mia. Kur ai po merrte në telefon, thashë, po ky numër, kthehu, kthehu këtej nga ura, thamë. Hy këtu, tha. Tha, “lironi tokën” se është tokë e huaj. Zotni, kush je ti? Ti nuk ke për të marrë tokën. Ka ndërtim pa leje. Jo, nuk ka ndërtim pa leje. Në qoftë se ky gardh është i ndërtuar pa leje thashë, ne kemi vepruar mbas këtij vendimi të Këshillit të Ministrave që është në 2015 dhe lejon deri në 40 centimetër, 50 centimetër edhe me strukturë betoni.
Ne nuk e kemi rrethuar, se këtu jemi disa pjesëtarë, nuk jam vetëm unë. Po s'e kemi rrethuar me ndarje të mesme. Kjo është rrethuar që mos të hyjë bagëtia. Se në qoftë se do të jetë e hapur kjo këtu, do të vinte me bagëti, bagëtia jote do të më bëjë dëm, do të lindin konflikte. Edhe ne e kemi rrethuar vetëm anën e rrugës që mos futen bagëtitë e tjera.