Sëmundja e re që infekton trurin dhe shpërthen ‘reality show-n’, autori zbulon prapaskenat
Një sëmundje e re dhe misterioze, e cila nis si një problem respirator por shndërrohet në një infeksion që sulmon trurin e njeriut, është premisa qendrore e një romani të ri që pritet të trondisë lexuesit. Kjo sëmundje fshin kufijtë mes realitetit dhe imagjinatës, duke bërë që të prekurit të përjetojnë iluzione dhe të zbulojnë sekretet e tyre më të errëta.
Shkrimtari Tobias Xhaxhiu, u shpreh në ‘Kafe Shqeto’ se në një nga linjat më intriguese të veprës, ngjarjet lidhen ngushtë me fenomenin e programeve televizive “reality show”. Një personazh, një djalë i ri shqiptar me emrin Klajdi, bëhet pjesë e një emisioni takimesh, të ngjashëm me formatet e njohura në ekranet shqiptare. Gjatë pjesëmarrjes së tij, ai përballet me një formë linçimi publik, ku vihet në lojë dhe poshtërohet para audiencës. Pikërisht pas kësaj eksperience traumatike, Klajdi infektohet nga sëmundja misterioze. Infeksioni shërben si një bumerang, duke e shtyrë atë të ndërmarrë një veprim “epokal dhe të paparë” në televizion, duke e hedhur në erë të gjithë programin në një akt hakmarrjeje shpërthyese.
Autori i veprës zbulon se ky kapitull është frymëzuar pjesërisht nga përvoja e tij personale në prapaskenat e televizioneve. Ai rrëfen se ka parë nga afër se si këto programe funksionojnë si “eksperimente sociale”, ku pjesëmarrësit shpesh përdoren si “kavie” dhe ku luhet me emocionet, dëshpërimin dhe nevojën e tyre për vëmendje.
TOBIAS XHAXHIU: Në fakt nuk kemi të bëjmë me një Covid këtë radhë. Nis në fakt si një sëmundje respiratore, por shndërrohet rrugës në një sëmundje e cila infekton pra individët në mendjen e tyre, pra infekton trurin. Ata fillojnë të shohin gjëra që nuk ekzistojnë, të paqëna, iluzione dhe kështu zbulojmë dhe sekretet e errëta të secilit prej tyre nga e kaluara. Pra realiteti dhe imagjinarja bëhen bashkë në mendjet e tyre.
Pak a shumë si ata që konsumojnë këto rrjetet sociale pa kritere dhe programet e shëmtuara televizive sepse dhe televizioni dhe media e bërë lirë, media e shëmtuar, me estetikë le të themi të ulët, është pjesë, siç e kuptuam. Po, është pjesë e rëndësishme e njërit prej kapitujve të veprës, i cili rrëfehet nga unë, intermexoja, pra mesi i veprës, është një kapitull i shkëputur. Ai rrëfehet nga unë si autor dhe trajton jetën e një individi, një djali të ri shqiptar, Klajdi, i cili bëhet pjesë e një emisioni televiziv, ky i dashurisë, i dashurisë, pra një ‘dating show’. Dhe kur bëhet pjesë e këtij ‘dating show’, ai pëson edhe një lloj, le të themi, linçimi publik, pasi aty e tallin publikisht. Edhe për fat të keq ai infektohet edhe ky infektim kthehet në një bumerang shumë të madh, pasi, e ndërsen këtë Klajdin që të bëjë diçka të paparë, epokale në televizion. Dhe këtë programin e dashurisë le të themi, në një farë mase ai e hedh në erë, në një farë kuptimi.
Ideja është kjo që, kjo që unë kam punuar për një farë periudhe të shkurtër në televizion vite më parë dhe më rastisi që si gazetar i ri e preka nga afër le të themi këtë eksperimentin social me individët që ndodh aty brenda, që përdoren le të themi si kavie deri diku për, le të themi dhe emocionet e tyre. Edhe dëshpërimi dhe kërkimi për të qenë le të themi në qendër të vëmendjes në çdo kusht. Edhe kjo është vërtet interesante, por ky është le të themi vetëm një nga kapitujt e veprës, pasi dy personazhet kryesorë janë Davidi dhe Greta, janë një çift elitar shqiptar. Davidi është një virolog, i cili në këtë moment të ngjarjes është duke punuar me kolegët e tij në Institut Kërkimor në Milano.