Shqiptari godet me thikë dy burra pas një sherri në Itali
Një 43-vjeçar shqiptar do të dalë para drejtësisë në Itali, i akuzuar për tentativë vrasjeje, plagosje të rëndë dhe mbajtje të armës së ftohtë, pasi goditi me thikë dy persona pas një sherri në rrugë.
Ngjarja ndodhi pasditen e 31 korrikut, në zonën Trodica të Morrovalle-s, ku Elmas Beçaj, 43 vjeç, duke drejtuar një Alfa Romeo Giulietta, ndoqi një Citroën C4 me dy shtetas pakistanezë, pas një manovre të gabuar në trafik. Pasi u doli përpara, ai zbriti nga makina me një thikë 10 cm të gjatë dhe sulmoi dy burrat.
Njëri prej tyre u plagos në dorë dhe në ballë (me prognozë 15 ditë), ndërsa tjetri, që ndërhyri për ta mbrojtur, u godit disa herë në krah dhe dorë, duke pësuar plagë të rënda (me prognozë 45 ditë).
Pas ngjarjes, shqiptari u arratis në Zvicër, duke humbur gjurmët, por u arrestua një muaj më vonë, në fund të gushtit, kur tentoi të rikthehej në Itali. Hetimet e karabinierëve të Civitanova-s bënë të mundur identifikimin dhe ndalimin e tij, ndërsa prokuroria kërkoi gjykim të menjëhershëm.
Gjyqi ndaj Beçajt do të hapet më 8 janar, nën drejtimin e gjyqtares Daniela Bellesi. Ndërkohë, mbrojtja e tij, e përfaqësuar nga avokati Maurizio Forconi, mund të kërkojë zhvillimin e procesit me procedurë alternative.
Dy të plagosurit përfaqësohen nga avokatet Roberta Bizzarri dhe Rosarita Laganà./Corriere