'KLSH zbardh skemën'/ Lika: Ja si po abuzohet me fondet publike përmes kontratave pa mbulesë financiare

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka lëshuar një alarm të fortë për mënyrën e menaxhimit të fondeve publike, duke zbardhur një sërë shkeljesh flagrante që dëshmojnë për një skemë të mirëfilltë abuzimi. Sipas të dhënave të bëra publike, buxheti i shtetit dëmtohet rëndë përmes ndryshimeve me akte normative, procedurave të prokurimit jashtë afateve ligjore dhe presioneve mbi vetë audituesit.

Gjetjet e fundit të institucionit më të lartë të auditimit në vend nuk janë më thjesht akuza politike, por fakte të dokumentuara që tregojnë një keqmenaxhim alarmant të financave publike. 

Meri Lika, audituese ligjore nga studioja e 'Kafe Shqeto' tregoi se një nga problematikat kryesore të evidentuara është manipulimi i buxhetit. Sipas raportit, ka ndryshime të shumta mes buxhetit fillestar dhe atij përfundimtar, të cilat kryhen përmes akteve normative, një praktikë e përshkruar si “vjedhje e pastër”. Për më tepër, janë zbuluar rishikime fondesh me data kontabël retrospektive, ku një vendim i marrë në janar, për shembull, aplikohet me efekt për muajin dhjetor të vitit paraardhës, duke legalizuar në mënyrë fiktive shpenzimet.

Shkelje serioze janë konstatuar edhe në fushën e prokurimeve dhe kontratave publike. KLSH ka gjetur të paktën 20 procedura prokurimi të kryera jashtë afatit ligjor. Gjithashtu, janë identifikuar 19 kontrata të lidhura pa pasur fonde të mjaftueshme, si dhe tejkalim i fondeve të miratuara në 23 raste të tjera. Një tjetër shkelje e theksuar është moszbatimi i rregullit të pagesave për projektet (20-30-30), duke cenuar transparencën dhe ecurinë e tyre.

Përtej shkeljeve financiare, raporti i KLSH-së hedh dritë edhe mbi një klimë presioni dhe frike brenda institucioneve. Sipas të dhënave, audituesit e KLSH-së presionohen që të mos hetojnë raste të caktuara, çka i detyron ata të stepen apo edhe të largohen nga puna. Kjo ndërhyrje pengon zbardhjen e plotë të abuzimeve dhe mbron zyrtarët e përfshirë.

Deklarata e plotë:

"Kanë frikë. Po, kanë frikë. Dhe lënë dhe punën madje. Po ka thënë shumë gjëra, tha. Ka thënë që, e para njëherë, ka hapje projektesh të cilat nuk zbatojnë rregullin 20, 30, 30, që duhet të jetë 20% e pagesës në fillim, pastaj 30 dhe pastaj 30 në fund.

Na ka thënë që ka shumë ndryshime nga buxheti fillestar, ku kalojnë pastaj në buxhetin në përfundim, që ka arritje dhe bëhen me akte normative.

Po, që dëmtohet shumë buxheti. Pastaj na ka thënë që janë tejkaluar fondet që janë miratuar për 23 raste që ka gjetur KLSH-ja. Ka prokurime, ka procedura prokurimi rreth 20, të cilat kanë tejkaluar afatin ligjor, pra janë kryer pas afatit ligjor.

Ka 19 kontrata që janë pa fonde të mjaftueshme. Gjithashtu janë zbuluar dhe rishikime të fondeve me data kontabël retrospektive. Që do të thotë, vendimi merret në janar, por efektin e ka për dhjetor, për shembull, ose për nëntorin".