VIDEO/ Vodhi 120 milionë lekë në një banesë në Tiranë, arrestohet 'skifteri' 37-vjeçar i dënuar më parë në Greqi

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Saga”, në kuadër të të cilit u arrestua një 37-vjeçar, i dyshuar për disa vjedhje me thyerje në kryeqytet.

Në pranga ka rënë shtetasi Ndriçim Koka, 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili rezulton se ka qenë më parë i dënuar në Greqi për të njëjtin krim.

Hetimet e Policisë treguan se ky shtetas, më 8 nëntor 2025, ka vjedhur 12 milionë lekë në një banesë në rrugën “Artan Lenja”, ndërsa më 19 tetor 2025, ka kryer një tjetër vjedhje me thyerje, duke marrë produkte me vlerë rreth 50 mijë lekë në një kioskë në rrugën “Muhamet Gjollesha”.

Gjatë kontrolleve në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi sasi kanabisi, veshje që ai kishte përdorur gjatë vjedhjeve, si dhe mjetin e fortë që përdorte për të thyer dyert e objekteve.

Ndaj 37-vjeçarit vijon puna hetimore për të zbardhur edhe vjedhje të tjera të mundshme, ku ai mund të jetë përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.