Salah Abdeslam, terroristi i vetëm i mbijetuar i sulmeve të Parisit, kërkon drejtësi
Është i vetmi anëtar ende gjallë i komandës që kreu sulmet terroriste të 13 nëntorit 2015 në Paris, emri i tij rikthehet çdo vit në përvjetorin e tragjedisë. Salah Abdeslam, 36 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm pa të drejtë uljeje dënimi, ndodhet në burgun e sigurisë së lartë Vendin-le-Vieil, në veri të Francës.
I lindur në Molenbeek, një lagje e Brukselit prej nga dolën edhe pjesa tjetër e autorëve të sulmeve, Abdeslam mbante dhjetë vjet më parë një rrip eksplozivi që nuk shpërtheu kurrë, ose që ai vetë nuk e aktivizoi. Çfarë ndodhi saktësisht atë natë mbetet ende e paqartë, dhe dëshmitë e pakta që ai dha gjatë procesit gjyqësor nuk arritën të zbardhin plotësisht nëse bëhej fjalë për një atentator të penduar apo për një terrorist që kishte dështuar në misionin e tij.
Sot, emri i Abdeslam është sërish në qendër të debatit publik, pasi përmes avokates së tij Olivia Ronen, ai ka kërkuar të nisë një proces drejtësie riparuese, përmes takimeve me disa nga viktimat e sulmeve. Ish-terroristi thotë se dëshiron të “shpjegojë” periudhën e tij në burg, të rikthehet te ajo që ndodhi gjatë procesit gjyqësor dhe të hapë një dialog me të mbijetuarit.
Arthur Dénouveaux, i mbijetuar i masakrës në Bataclan dhe kryetar i shoqatës Life for Paris, është shprehur i hapur ndaj idesë:
“Disa viktima janë të interesuara për drejtësinë riparuese, ashtu siç ka ndodhur në Spanjë apo Itali. Kjo mund të çojë në takime në burg me të dënuarit”, u shpreh ai.
Në krahun tjetër, Riss, drejtori i Charlie Hebdo dhe vetë i plagosur në sulmin terrorist të 7 janarit 2015, e ka refuzuar kategorikisht mundësinë e një procesi të tillë për Abdeslamin.
“Është një qasje e shtrembër. Drejtësia riparuese mund të ketë kuptim vetëm për krime të zakonshme, jo për terrorizmin. Me këtë propozim, Abdeslam kërkon të banalizojë natyrën e krimit dhe ta paraqesë si një vepër të zakonshme”, ka thënë Riss, duke shtuar se “edhe më shqetësuese është fakti që përgjegjësia do t’i kalonte viktimave, të cilat nëse refuzojnë takimin, do të konsiderohen si të mbyllura ndaj dialogut.” Sipas tij, Abdeslam mbetet “një islamist i pandryshuar dhe i pa penduar”.
Abdeslam mbahet nën regjim të posaçëm sigurie, ndërsa sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë së Brendshme (DGSI), ai konsiderohet ende “i radikalizuar” dhe “i bindur në ideologjinë vdekjeprurëse të xhihadit”.
Në muajt e fundit, ai është ndaluar dy herë dhe më pas kthyer në qeli në kuadër të një hetimi mbi një USB që përmbante materiale propagandistike të ISIS-it dhe Al Kaedës. Pajisja dyshohet se ishte futur në burg nga ish-partnerja e tij, Mawva B., e cila tashmë është arrestuar dhe po hetohet për përgatitje të mundshme atentati. DGSI ka sqaruar se Abdeslam nuk është përfshirë drejtpërdrejt në atë projekt, por incidenti ka rihapur diskutimin mbi rrezikun e radikalizimit të tij të pandërprerë.
Gjatë gjyqit, Abdeslam pati kërkuar falje për viktimat e sulmeve, por sipas hetuesve dhe psikologëve të burgut, ai vazhdon të mbetet i lidhur me kauzën xhihadiste dhe nuk ka shfaqur shenja të vërteta pendese.