'Antipatia dhe frika nga gazetarët, modeli i ri i pushtetit'/ Gazetarja: Rama si Meloni!
Konferencat e hapura me gazetarë, ku pyetjet nuk filtrohen dhe përgjigjet kërkohen drejtpërdrejt, duket se po kthehen në një kujtim të largët për liderët politikë të ditëve tona. Rasti i kryeministres italiane, Giorgia Meloni, e cila ka kohë që i shmanget një përballjeje të tillë, është emblematik për një trend që vërehet edhe në Shqipëri me kryeministrin Edi Rama. Ky model i ri komunikimi, në kontrast të thellë me paraardhës si Mario Draghi që pas çdo mbledhjeje qeverie raportonte para medias, ngre pyetje serioze për transparencën dhe llogaridhënien e pushtetit.
Gazetarja Alba Kepi, nga studioja e 'Kafe Shqeto' u shpreh se strategjia e Melonit duket e qartë: dalje të përzgjedhura në emisione të kontrolluara, si ai me gazetarin Bruno Vespa, dhe një shmangie sistematike e pyetje-përgjigjeve të paparashikuara. Kjo sjellje, e cilësuar si një formë “antipatie apo frike” ndaj gazetarëve, nuk është thjesht një preferencë personale, por një taktikë për të ruajtur narrativën zyrtare pa u sfiduar.
Akuzat për censurë ndaj qeverisë italiane janë bërë gjithnjë e më të zëshme, dhe një rast konkret e ilustron qartë këtë shqetësim.
Emisioni investigativ “Report” i gazetarit Sigfrido Ranucci, i transmetuar në televizionin publik RAI, është përballur me denoncime penale sistematike pak para transmetimit. Detaji më tronditës është fakti se kreu i Autoritetit për Mbrojtjen e Privatësisë, institucioni që nisi procedimin ligjor ndaj emisionit, ishte takuar me motrën e kryeministres, Arianna Meloni, pikërisht përpara se të niste sulmin ligjor. Ky fakt sugjeron një manovër të mirëorkestruar për të heshtur zërat kritikë dhe për të mbyllur një emision që trajtonte tema të sikletshme për pushtetin.
Por përse kjo tërheqje nga media? Përgjigjja qëndron tek pyetjet që nuk dëshirojnë t'i dëgjojnë. Për shembull, si do t'i përgjigjej kryeministrja Meloni një pyetjeje direkte në lidhje me deklaratat e bujshme të prokurorit të Antimafias, Nicola Gratteri, i cili e cilësoi Shqipërinë si një “narko-shtet, madje më keq se kaq”? Një pyetje e tillë do ta vendoste në pozitë tejet të vështirë lideren e një prej vendeve themeluese të BE-së, e cila sapo ka nënshkruar një marrëveshje të diskutueshme për emigrantët me një qeveri që përballet me akuza kaq të rënda. Shmangia e konferencave të shtypit është, në thelb, shmangie e llogaridhënies për vendime dhe partneritete strategjike.
Deklarata e Alba Kepi në Syri TV:
'Shtypi me gazetarët, ka kohë që nuk bën. Që të ulet aty dhe të bëjë pyetje-përgjigje siç bënte Draghi. Draghi, sapo mbaronte mbledhja e qeverisë, takohej me gazetarët: pyetje-përgjigje. Bëre këtë draft... pra, raportonte për vendimet. Conte vijon ta ketë raportin mjaft të mirë me gazetarët, sepse vijon të ruajë këtë lloj imazhi që çdo gjë ishte marrëdhënie, transparencë. Qoftë edhe pse e dinte që ai e kritikonte apo i bënte dy faqe gazetë kundër, por ishte e detyrueshme.
Giorgia Meloni nuk e bën. Ose seleksionon. Daljen e fundit e ka bërë te Porta a Porta, te Bruno Vespa, pak muaj më parë. Të njëjtën gjë bën edhe Rama. Kanë antipati ose frikë nga gazetarët. Kanë antipati dhe, them unë, edhe frikë ndaj gazetarëve.
Tashmë, këtë e lidh edhe me akuzat që Giorgia Melonit i janë bërë dhe vijojnë t’i bëhen për censurën ndaj mediave dhe gazetarëve të caktuar. Unë e risjell shembullin e Sigfrido Ranuccit, nga emisioni Report, i cili prej dy javësh rresht – edhe të dielën e shkuar dhe këtë të dielë para nisjes së emisionit merr një tjetër denoncim penal për t’u dërguar në gjykatë, me qëllim mbylljen e emisionit nga Garanti i Privatësisë, nga autoriteti i të drejtës së privatësisë.
Në një nga emisionet që ai ka transmetuar, dokumentonte se si kryetari i Autoritetit Kombëtar të Privatësisë, para se të bënte denoncimin në gjykatë kundër Sigfrido Ranuccit, ishte takuar me motrën e Giorgia Melonit, Arianna Melonin.
Dhe një ditë para se të niste emisioni, dy-tre orë më herët, i vjen një letër ku i thuhet se “nuk duhet transmetuar ky emision”, sepse autoriteti i Garantisë për Privatësinë – që është një autoritet i rëndësishëm kombëtar – nuk lejonte transmetimin. Megjithatë, ishte vetëm RAI që mori përgjegjësinë dhe tha: “Sado që të ndodhë, unë do ta jap.”
Pra, këto janë manovrat që i bëjnë për të kufizuar median. Absolutisht, situata është mjaft kritike. Në Itali është kritike, sepse kur një person, një kryeministre, nuk pranon t’u japë përgjigje pyetjeve të gazetarëve, aty ka një problem të madh, sidomos në një vend europian e demokratik si Italia.
Sepse, të bësh një konferencë shtypi besoj unë dhe shumë gazetarë të tjerë – do t’i bëheshin pyetje si: “Çfarë mendoni për qeverinë apo për deklaratat që ka bërë prokurori i Antimafias italiane, Nicola Gratteri?”, kur gazetari italian Nello Trocchia e pyeti: “A mendoni se Shqipëria është një narko-shtet?”
Dhe eksperti i njohur i Antimafias italiane, Nicola Gratteri, tashmë prokuror i Napolit, u përgjigj: “Jo vetëm që është narko-shtet, por është edhe më keq se kaq.”
Ju, kryeministre e një vendi themelues të idesë së Bashkimit Europian, çfarë mendimi keni kur uleni dhe bëni marrëveshje të tilla me një përfaqësues të një qeverie që konsiderohet narko-shtet? Mendoj se këto janë pyetje që presin përgjigje".