6 të vdekur nga rrëmuja gjatë rekrutimit ushtarak në Ganë
Të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe 22 të tjerë janë lënduar në një rrëmujë gjatë një eventi rekrutimi ushtarak në ganë të Afrikës, raporton KosovaPress.
Tragjedia ndodhi kur mijëra kandidatë mbushën hyrjet e stadiumit, duke shpresuar për një mundësi pune në forcat e armatosura, raporton BBC.
Forcat e Armatosura të Ganës njoftuan se rrëmuja e sotme tragjike u shkaktua nga "një rritje e papritur e kandidatëve që shkelën protokollet e sigurisë dhe nxituan drejt hyrjeve". Pesë nga të lënduarit mbeten në gjendje kritike.
Mijëra të rinj u mblodhën në stadiumin El-Wak në kryeqytetin Akra. Shkalla e lartë e papunësisë së të rinjve në Gana, e cila sipas statistikave të fundit qeveritare është rreth 32%, shpesh çon në skena kaotike në ngjarje të tilla.
Afati i fundit i aplikimit u zgjat edhe me një javë për të lejuar më shumë kandidatë që kishin vështirësi me procesin të merrnin pjesë.
Zëdhënësja e ushtrisë, Veronica Adzo Arhin, tha se rrëmuja ndodhi para se eventi të ishte planifikuar të fillonte në orën 06:20 sipas kohës lokale.
Pavarësisht tragjedisë, procesi i rekrutimit kishte filluar, por u ndal në pasdite. Arhin shtoi se do të nisë një hetim për shkaqet e rrëmujës.