VIDEO/ Himçi akuzon: Balluku me 65% të buxhetit duhet të ishte në burg
Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, i ftuar në edicionin ‘Ora 19’ me moderatoren Armela Ferko, ka lëshuar akuza të forta ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Gjatë intervistës, Himçi deklaroi se Balluku duhej të ishte në burg për shkak të akuzave të ngritura ndaj saj dhe për shkak të pozitës që mban në qeveri.
‘Së pari, ajo duhet të ishte pas hekurave, sepse është ministrja e cila ka vjedhur 50 milionë euro haptas në aferën e tunelit të Llogarasë për t’ia dhënë një kompanie turke. Është marrë e pandehur nga SPAK-u dhe SPAK-u përsëri e toleron,’ tha Himçi.
Sipas deputetit demokrat, fakti që Balluku vazhdon të ushtrojë funksionin e saj si ministre dhe zëvendëskryeministre, përbën një rrezik për përsëritjen e veprave penale dhe për prishjen e provave.
‘Ti sot je një ministre e cila mund të përsërisësh të njëjtat vepra penale nëpërmjet tenderimeve të tjera në infrastrukturë dhe energjetikë. Nga ana tjetër, mund të ekzistojë mundësia e prishjes së provave për çështje që lidhen me këto afera. Duhej të ishte detyrim i SPAK-ut për ta arrestuar dhe për të kërkuar heqjen e imunitetit për të pandehurën Belinda Balluku,’ u shpreh ai.
Deputeti Himçi shtoi se Balluku nuk ka më asnjë legjitimitet moral për të qëndruar në detyrë.
‘Duke qenë zëvendëskryeministër dhe e marrë e pandehur, unë nuk e di se si mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë. Nuk ka më indicie e dyshime, por prova, ndaj nuk ka më moral që ajo të qëndrojë në këtë funksion,’ theksoi Himcci në SYRI TV.
Sipas Himçit, përgjegjës për këtë situatë është edhe kryeministri Edi Rama, i cili, sipas tij, duhet ta kishte shkarkuar menjëherë Ballukun nëse do të ishte ‘i ndershëm dhe i përgjegjshëm’.
‘Afera është e përbashkët e kryeministrit dhe zëvendëskryeministres. Nuk mund të përjashtojmë Edi Ramën në këtë aferë, sepse do kishte detyrim për ta shkarkuar si ministre nëse do të ishte kaq i ndershëm. Është zëvendëskryeministri i dytë që merret i pandehur nga SPAK. Nuk ka më moral që të qëndrojë as Edi Rama në funksionin e tij, kur skandalet e kësaj qeverie në 12 vjet janë të njëpasnjëshme,’ deklaroi Himçi.
Deputeti demokrat ndaloi edhe tek çështja e buxhetit të vitit të ardhshëm, ku, sipas tij, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë merr një pjesë disproporcionale të fondeve publike.
‘E gjithë ky projektbuxhet, ku merr 65% të të gjithë buxhetit të qeverisë, e merr Ministria e Infrastrukturës. E përkthyer kjo në investime, në PPP, dhe njëkohësisht nuk na dhanë përgjigje për pyetjet që ngritëm mbi strategjinë e përzgjedhjes së këtyre investimeve dhe analizën e kostos e përfitimit për qytetarët,’ theksoi Himçi.
Ai solli si shembull bypass-in e Elbasanit, që sipas tij është lënë jashtë vëmendjes së qeverisë, megjithëse përbën një prioritet për qarkun që ai përfaqëson.
‘Duke qenë dhe deputet i qarkut të Elbasanit, më shqetëson që nuk ka asnjë plan për bypass-in e Elbasanit. Zëvendësministrja na tha se ‘do t’i shikojmë këto rrugës’. Na ushqeu me një lugë bosh, sepse është e sigurt që në 2026-ën nuk do të ketë bypass Elbasani,’ tha ai, duke shtuar se projekti as nuk është parashikuar në buxhet.
Në përfundim, Himçi akuzoi qeverinë për ‘papërgjegjshmëri totale’ dhe për përdorim klientelist të fondeve publike në infrastrukturë dhe energji, duke paralajmëruar se opozita do të kërkojë transparencë të plotë për çdo kontratë dhe procedurë tenderimi.