VIDEO/ Atentati në Rinas, tmerri që përjetuan qytetarët mes breshërive të kallashnikovëve
Siguria e jetës së qytetarëve në Shqipëri është në nivelin zero. Këtë e dëshmoi më qartë se kurrë atentati mafioz i ndodhur mesditën e djeshme në rrethrrotullimin e Rinasit.
Pamjet e kamerave të sigurisë, që kanë regjistruar të gjithë ekzekutimin me kallashnikov, tregojnë jo vetëm brutalitetin e krimit, por edhe mungesën totale të kontrollit dhe reagimit shtetëror. Vrasësit shfaqen duke vepruar me qetësi, pa asnjë shenjë frike apo nxitimi, sikur të ishin të bindur se askush nuk do t’i ndalonte.
Ndërkohë, qytetarët e pranishëm përjetuan momente tmerri, duke u përpjekur të strehohen mes plumbave që fluturonin mbi kokat e tyre. Vetëm fati bëri që të mos kishte viktima të tjera, pasi autorët duket se nuk u shqetësuan aspak se ku mund të përfundonin breshëritë e kallashnikovëve të tyre.
Në video duken edhe automjete që largohen me shpejtësi nga rrethrrotullimi, në përpjekje për t’i shpëtuar plumbave, ndërsa vendngjarja shndërrohet në një zonë lufte.
Atentati mafioz në Rinas na kujton se jeta e qytetarit në Shqipëri mbetet e pambrojtur dhe se krimi vepron ende me siguri të plotë, në një shtet që duket se ka humbur kontrollin mbi rendin dhe sigurinë publike.