Djokovic për çështjen Sinner–Clostebol: Nuk e ka bërë me qëllim, por është përgjegjës. I lumtë që e përballoi stuhinë mediatike

Në intervistën e plotë për emisionin “Piers Morgan Uncensored”, e publikuar këtë të mërkurë, Novak Djokovic është rikthyer të flasë për çështjen e ndjeshme Sinner–Clostebol, duke ruajtur qëndrimin e tij: beson në pafajësinë e Jannik Sinner-it, por kritikon ashpër mënyrën se si është trajtuar rasti.

“Mendoj se nuk e ka bërë me qëllim, por natyrisht është përgjegjës,” – tha Djokovic. “Kur ndodhi, mbeta i tronditur. Besoj në ndershmërinë e tij, por mënyra si u menaxhua e gjithë çështja është plot me sinjale alarmi.”

Sipas ish-numrit 1 të botës, sistemi nuk ka qenë i barabartë për të gjithë:

“Nëse Sinner do të ishte lojtari i renditur i 500-ti në botë, do të kishte marrë një dënim shumë më të gjatë se tre muaj. Ka mungesë transparence dhe koherence. Për më tepër, ndëshkimi ndodhi pikërisht mes Grand Slam-eve, që të mos humbiste asnjërin, ishte shumë, shumë e çuditshme. Nuk më pëlqeu aspak mënyra si u trajtua ai rast.”

Djokovic theksoi gjithashtu se rregullat janë të qarta: çdo sportist mban përgjegjësi për substancat që gjenden në trupin e tij. Por krahasuar me dënimet shumëvjeçare që kanë marrë të tjerët, ai e konsideron dënimin e Sinner-it “të padrejtë”:

 

“Dua ta besoj, e mendoj se nuk e ka bërë qëllimisht. Por kur sheh sportistë të tjerë që marrin vite pezullim për raste të ngjashme dhe ai merr vetëm tre muaj, nuk është e drejtë.”

Megjithatë, kampioni serb nuk harroi të vlerësonte mënyrën se si Sinner ka përballuar presionin publik:

“Nuk është e lehtë për të. Kam ndjeshmëri dhe respekt për mënyrën si e ka menaxhuar këtë stuhi mediatike. E ka përballuar me pjekuri dhe qëndrueshmëri të madhe. Përkundër gjithçkaje, ai vazhdon të luajë në nivel të lartë dhe të fitojë Grand Slam-e. Për këtë, meriton vërtet duartrokitje.”